Rishtazi është ngritur çështja e shpërfilljes së vendimeve qeveritare, që kanë të bëjnë me masat parandaluese kundër COVID-19, nga ana e punëdhënësve, shkruan Kosova Post.
Për më keq, shpërfillja e cila po bëhet në kurriz të grave shtatzëna, përbën një akt flagrant të shkeljes së të drejtave të punëtorëve, përkatësisht diskriminimin në baza gjinore. Kështu të paktën e ka cilësuar Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), këtë çështje.
Adelina Tërshani, Koordinatore e Projekteve në RrGK, për Kosova Post ka thënë se:
“Mosrespektimi i vendimit qeveritar për lirimin e grave shtatzëna nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në vendin e punës, përbën drejtpërdrejtë diskriminim me bazë gjinore ndaj grave punëtore.”
Ndonëse vendimi i datës 18. 08. 2021, specifikonte qartë që: “Gratë shtatzëna, lirohen nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë. Punëdhënësit publikë apo privat udhëzohen të ju krijojnë mundësinë që të punojnë nga shtëpia, për aq sa është e aplikueshme”; Kosova Post ka siguruar dëshmi që raste të tilla, të diskriminimit, kanë ndodhur edhe kohëve të fundit.
Andaj sipas Tërshanit, veprimi i institucioneve në këtë drejtim, duhet të jetë i menjëhershëm:
“Shteti duhet që të monitoroj me kujdes të shtuar mosrespektimin e kësaj mase nga punëdhënësit si dhe të sanksionoj këto biznese, në përputhje me ligjin. Çdo rast i kësaj natyre i raportuar tek organet e drejtësisë, duhet të trajtohet me seriozitet. Shkelja e kësaj të drejte paraqet rrezik për shëndetin e grave në vendin e punës dhe rrjedhimisht do të thelloj mospjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtorë në Kosovë.”
Në artikullin “Krimi i heshtjes”, si po abuzojnë punëdhënësit me gratë shtatzëna, në kohë pandemie, Kosova Post ka identifikuar mungesën e informacioneve në lidhje me çështjen, ndonëse i ka kontaktuar zyrtarët e institucioneve relevante. Kështu, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKShPK), Inspektoriati i Punës dhe Klinika Gjinekologjike, nuk kanë ofruar të dhëna specifike në lidhje me këto shkelje, nëse janë evidentuar raste të kësaj natyre dhe nëse bëhet fjalë për një dukuri dhe jo për raste të izoluara./ImerTopanica/KosovaPost/