Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, i ka anuluar bisedimet me homologen britanike, Priti Patel, pasi kryeministri britanik, Boris Johnson, i bëri thirrje Francës që t’i marrë emigrantët që e kanë kaluar Kanalin Anglez dhe që janë futur në territorin e Mbretërisë së Bashkuar.
Në eskalimin e krizës politike pas vdekjes së 27 personave në Kanalin Anglez, ministri francez tha se Franca është e zhgënjyer nga plani i kryeministrit britanik. “Publikimi i tij (i planit) e bëri atë edhe më të keq”, tha ai.
Johnson tha se i ka shkruar letër presidentit francez, Emmanuel Macron, duke propozuar pesë hapa për të “lëvizur më tutje dhe më shpejt” për ta shmangur përsëritjen e tragjedisë së të mërkurës, kur vdiqën 27 persona, shkruan BBC.
“Një marrëveshje me Francën për t’i marrë emigrantët që e kalojnë Kanalin përmes kësaj rruge të rrezikshme do të kishte ndikim të menjëhershëm dhe të konsiderueshëm”, thuhet në letrën e kryeministrit britanik.
Ministria e Brendshme e Francës përmes një deklarate tha: “Letrën e Boris Johnsonit e konsiderojmë të papranueshme dhe në kundërshtim me diskutimet mes palëve. Si pasojë, Priti Paten nuk është e ftuar më në takimin e së dielës, që përsëri do të zhvillohet mes Francës, Belgjikës, Holandës, Gjermanisë dhe Komisionit të BE-së.”
Incidenti i së mërkurës ishte më i rëndi me emigrantë në Kanalin Anglez që është regjistruar ndonjëherë dhe përfshiu 17 burra, shtatë gra – njëra prej të cilave shtatzënë – dhe tre fëmijë.g.e.