Rusia pohon se ka fakte që SHBA-të mbrojnë ISIS-in

Rusia pohon se ka fakte që SHBA-të mbrojnë ISIS-in

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka pohuar se kanë siguruar fakte që koalicioni i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mbron organizatën terroriste ISIS, duke shtuar se SHBA-të kanë refuzuar të ndërmarrin sulm ajror ndaj militantëve të ISIS-it të tërhequr nga rrethina e qytetit Ebu Kemal edhe përkundër të gjitha paralajmërimeve nga Rusia, shkruan (AA), transmeton KosovaPost.

Në një deklaratë me shkrim nga ministria thuhet se është konfirmuar se autokolona e ISIS-it e gjatë disa kilometra ka avancuar në drejtim të Luginës Sabha në kufi me Irakun nga qyteti Ebu Kemal në prefekturën e Dejrizorit në Siri më 9 nëntor.

Sipas deklaratës, Rusia i është drejtuar koalicionit të kryesuar nga SHBA-të për të ndërmarrë operacion ushtarak ndaj autokolonës në fjalë.

“Në një mënyrë absolute, amerikanët refuzuan të ndërmarrin çfarëdo operacioni ushtarak me arsyetimin se militantët e ISIS-it janë duke u dorëzuar vullnetarisht”, thuhet në deklaratë.

Ndërkaq, në deklaratën e ministrisë thuhet se janë përdorur edhe pamje të pretenduara satelitore të autokolonës së ISIS-it, të cilat më pas, siç thuhet, janë fshirë. Ministria theksoi se pamjet paraprake ishin “të gabuara”, duke shtuar pamje të reja për të cilat u pohua se i përkasin autokolonës së ISIS-it.

Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, në një deklaratë për mediumet në Moskë tha se nuk është hera e parë që SHBA-të kanë mbrojtur terroristët e ISIS-it.

“Edhe më parë, gjatë marrjes së kontrollit të Rakkas dhe Mosulit, e kemi parë se s’i kanë hapur rrugën për ikjen e pjesëtarëve të ISIS-it. Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, më ka thënë disa herë se qëllimi kryesor i tyre është shkatërrimi i ISIS-it në Siri, megjithatë, ekzistojnë shumë pikëpyetje lidhur me qëllimet e SHBA-ve në Siri”, është shprehur Lavrov.

You may also like

Vendim i befasueshëm i PDK-së vetëm pak orë pas rezultatit të balotazhit

Përmes një deklarate lëshuar për medie Partia Demokratike