Gjatë dy javëve të fundit, autoritetet ruse kanë shqyrtuar tre përgjigje të mundshme ndaj kufizimit të fundit të çmimit të BE-së dhe G7 për importet e naftës ruse, raportuan mediat lokale.
“Opsioni i parë është ndërprerje e plotë e shitjes së naftës për shtetet që mbështesin kufizimin, duke përfshirë nëse ata blejnë naftën e papërpunuar nga Rusia jo drejtpërdrejt, por përmes vendeve ndërmjetëse apo edhe zinxhirit të tyre”, thanë dy burime nga kabineti rus për të përditshmen Vedomosti.
Opsioni i dytë që shyrtohet në tryezë është ndalimi i eksporteve sipas kontratave që përfshijnë tavanin e çmimit, pavarësisht nga vendi marrës.
Moska gjithashtu po diskuton mundësinë e vendosjes së një “çmimi tregues”, si opsion i tretë, i cili do të përcaktonte “uljen maksimale të naftës ruse nga Uralet në referencën Brent”.
Burimet thanë se asnjë nga opsionet nuk është miratuar ende, ndërsa alternativat dhe kombinimet e tjera janë ende në shqyrtim.
Zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, tha të martën se Rusia nuk do të operojë nën kufizimet e çmimeve, edhe nëse Moska detyrohet të ulë prodhimin.
“Aktualisht jemi duke bërë konsultime, duke finalizuar vendimet dhe duke biseduar me kompanitë”, theksoi Novak.
Vendet e BE-së ranë dakord të premten për vendosjen e çmimit tavan prej 60 dollarësh për fuçi për naftën e papërpunuar ruse të transportuar nga deti, vendim të cilit iu bashkuan vendet e G7 dhe Australia.
Qëllimi i këti vendimi është të ndikojë në të ardhurat e Moskës nga eksporti dhe shitja e naftës së papërpunar në mes të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të hënën se Rusia është duke përgatitur përgjigje për kufizimet e çmimit të naftës së saj.
Përveç kësaj, të hënën hyri në fuqi embargoja e BE-së për importet e naftës së papërpunuar ruse nga deti, e miratuar nga Komisioni Evropian më 3 qershor, si pjesë e pakos së gjashtë të masave kufizuese kundër Moskës.
Zyrtarët rusë kanë njoftuar më parë se do të refuzojnë t’u shesin naftë vendeve që bien dakord për çmimin tavan.