Kancelari gjerman Olaf Scholz nga Prishtina i ka dërguar mesazhe të qarta Serbisë se nuk mund të bëhet shtet anëtar i BE-së pa i pasur të gjitha qëndrimet e njëjta me Unionin.
Tutje, Scholz ka thënë për Serbinë se ajo nuk duhet të ketë dyshime për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë për të dënuar agresionin e saj në Ukrainë.
“Kush bëhet anëtar i BE-së duhet të pranojë gjithë regjimin që vjen, po flas për rregullat e përbashkëta, të cilat i kemi zhvilluar. Duhet t’i pranojë të gjitha, legjislacionit, demokracinë, hapjen, transparencën dhe një politikë të përbashkët kundrejt vendeve të tjera. Këtu bën pjesë edhe regjimi i sanksioneve që BE i ka vendosur ndaj Rusisë dhe kjo duhet të pranohet nga një vend që synon BE-në. Nuk duhet të ketë iluzione sa i përket kësaj”, deklaroi kancelari Scholz.
Në ndërkohë, kryeministri kosovar Albin Kurti, tha se natyrisht që Ukraina është në qendër të vëmendjes dhe zemrën e të gjithë për atë që po kalon, por tha se krahas saj në vëmendjen të BE-së duhet të jetë edhe Ballkani Perëndimor.