Deklarata të forta janë bërë për Kylian Mbappe dhe marrëdhënien e tij me kombëtaren franceze. Ka qenë vetë presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Le Graet, që ka zbuluar një prapaskenë të rëndësishme që mund të kishte ndryshuar planet e sulmuesit dhe Francës.
Numri një i FFF ka shpjeguar se sa i trishtuar dhe i zhgënjyer ka qenë Mbappe pas Euro 2020 dhe veçanërisht pas kritikave dhe fyerjeve të marra pasi gaboi penalltinë vendimtare kundër Zvicrës në 1/8-at e turneut:
“Jemi takuar me lojtarin pas Euro 202. Besonte se federata nuk e mbronte nga kritikat dhe nga komentet negative në rrjetet sociale pas asaj penalltie të gabuar. Mbappe ishte shumë i zemëruar dhe nuk donte të luante për Francën”, ka thënë Le Graet për RMC Sport.
“Sigurisht, nuk ishte një deklaratë serioze, ishte thjesht i tronditur nga eliminimi i kombëtares dhe nga emocionet e forta që provonte në atë moment. Kjo sepse ka një mentalitet fituesi. Është një djalosh i jashtëzakonshëm dhe një lojtar skuadre”.