Fryma provinciale nuk e kupton rëndësinë e lidhjes sonë me figurat më të ndritura të modernitetit, prandaj kur një kryeministër si Kurti flet me kompetencë për një të tillë, provincialët ofendohen sepse nuk e kuptojnë rëndësinë e kësaj lidhjeje me qytetërimin më të madh sot.
Por në të njëjtën kohë, ata vazhdimisht flasin për vlerat evropiane, nevojën e evropianizimit tonë dhe gjëra të tilla banale, të cilat ata i kuptojnë nga këndvështrimi i tyre provincial, duke menduar se Evropa është sinonim me të kuptuarit provincial të tyre. Shumica provinciale mendon se mund të bëhesh modern pa ndryshuar mendësinë, pa lexuar filozofët e saj dhe pa pranuar disa premisa si të pakapërcyeshme të modernizmit.
Fryma provinciale jo vetëm që nuk di, por as nuk e di se nuk di. Prandaj, do që kryeministri i saj më i ndritur të dalë para botës me një ligjërim provincial, jo me një fjalim modern që flet bota moderne. Ne kemi një nevojë jetike për të bindur botën se nuk jemi çobanë, se jemi edhe ne, ose të paktën synojmë të bëhemi, pjesë e traditës së modernitetit. E ku ka më mirë në këtë drejtim se kur përfaqësuesi i shtetit flet pikërisht për një kolos të mendimit modern.
Provincializmi është një kornizë hermeneutike mendore që shtrembëron konceptet origjinale të modernitetit duke i interpretuar ato përmes kategorive provinciale dhe kështu del me kritika që pikërisht kur pretendojnë modernitetin shpërfaqin provincializmin e tyre.