Ish-komandanti i UÇK-së, Haxhi Shala, do të ketë paraqitjen e parë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 13 dhjetor në orën 14:00.
Paraqitja e parë do të mbahet në seancë publike.
Kurse konferenca e parë për ecurinë e çështjes do të mbahet të premten në orën 09:30.
Kështu tha ZPS-ja në një njoftim për media.
Aty janë dhënë edhe detaje të aktakuzës së ngritur ndaj tij.
Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi Aktakuzën kundër Haxhi Shalës më 4 dhjetor 2023. Thuhet po ashtu se ditën e arrestimit, komandant “Topi” mori një kopje të aktakuzës në gjuhën e tij amtare.
“Sipas Aktakuzës së Konfirmuar, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, z. Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të z. Januzi dhe z. Bahtijari me dëshmitarin 1. Në të thuhet gjithashtu se, me udhëzim të z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime”, thotë ZPS.