Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritet që të mërkurën të realizojë një vizitë zyrtare në Ukrainë si shenjë e përkrahjes së ShBA-së për shtetin e Evropës Lindore pas grumbullimit masiv të trupave ruse afër kufirit muajin e kaluar.
Shefi i diplomacisë amerikane pritet të takohet me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy dhe pritet të bëjë thirrje për luftë më të madhe kundër korrupsionit, kërkesë e vjetër e partnerëve perëndimorë ndaj Ukrainës, bëri të ditur Departamenti i Shtetit.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha përmes një deklarate se vizita e kryediplomatit amerikan është shfaqje e përkrahjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë agresionit të vazhdueshëm të Rusisë.
Grumbullimi i ushtrisë ruse afër kufirit me Ukrainën dhe në Krimenë e pushtuar shkaktoi shqetësime në Kiev, Bruksel dhe Uashington për mundësinë e një eskalimi të madh të situatës, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.Moska më 23 prill njoftoi se e ka filluar tërheqjen e trupave nga zona kufitare, duke shkaktuar lehtësim të paktën momental për Ukrainën. Ushtria ruse tha javën e kaluar se shumica e trupave janë kthyer në bazat e tyre të përhershme.