Kanë arritur në Serbi, zyrtarë nga vende të ndryshme, në prag të Samitit të Lëvizjes së Paainkuadruarve, i cili do të mbahet në Beograd të hënën dhe të martën.
Si Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe Ministri i Jashtëm, Nikola Selakoviç, zhvilluan takime me ministrat përkatës.
Rreth 80 delegacione të nivelit të lartë, të udhëhequr nga krerët e shteteve dhe 40 ministrat e jashtëm pritet të marrin pjesë në takimin e organizuar nga Serbia dhe Azerbajxhani. Shumica e këtyre vendeve nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Takimi i nivelit të lartë i kushtohet shënimit të 6o vjetorit të “Lëvizjes së të Painkuadruarve”, bllokut të shteteve neutrale që gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, nuk ishin as pjesë e paktit të NATO-s e as të Traktatit të Varshavës.
Atëbotë nikoqir ishte lideri jugosllav, Josip Broz Tito, ndërsa bashkë organizatorë homologët nga Egjipti dhe India, Gamal Abdel Naser e Jawaharlal Nehru.