Kryeministrja në ikje e Serbisë, Ana Brnabiq e ka akuzuar për “njëanshmëri” Grupin e G7 në raport me Serbinë dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar, pasi nuk iu referuan “Rezolutës 12/44” të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 në adresimin e tyre të 8 majit kundër pushtimit rus të Ukrainës.
Ndonëse “Rezoluta 12/44” është gjë që është hedhur në shportën e historisë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, dhe njohjen konsekuente nga shumica e botës perëndimore (shtetet e G7 të cilave iu referohet Brnabiq të gjitha e njohin e Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur), ajo vazhdoi t’i referohet asaj si argument.
“Vetëm në rastin e Serbisë nuk përmendet Rezoluta 1244. Sepse të gjithë nga G7 e shkelën atë. Kjo tregon ndërlikueshmërinë e situatës dhe vështirësinë e pozitës së Serbisë, e cila respekton të drejtën ndërkombëtare dhe OKB-në, duke përfshirë parimet themelore të paprekshmërisë së integritetit territorial të shteteve të njohura ndërkombëtarisht”, shkroi Brnabiq në Twitter.
Ajo numëroi një sërë rezolutash nga takimi i G7, ku vetëm rezoluta e vitit 1999 që kishte të bënte (atëbotë) me Kosovën nuk u përfshi.
Njëjtë ka bërë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ditë më parë tha se “deklarata e G7 m’i hapi sytë”, dhe se “nuk do t’i vendos sanksione Rusisë në të njëjtën kohë duke e dënuar shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.
Rezoluta 12/44 si relikte e së shkuarës është ende leva e Moskës mbi Beogradin, dhe ngushëllimi iluzor i këtyreve të fundit, duke u thirrur në “respektim të ligjit ndërkombëtar”.
Serbia në vitin 2010 ka pranuar përgjigjen e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se a “shpallja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe krejtësisht e ligjshme”.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si interpretuesja më e lartë e ligjit ndërkombëtar përgjigjen e ka dhënë, derisa Brnabiq dhe Serbia thirren ende në ngushëllimit e kësaj rezolute që s’do të thotë më gjë.gazeta tema.