Para miratimit të rendit të ditës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar që në rend të ditës të futet edhe raporti vjetor i punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe rekomandimi për shkarkimin e këtij bordi dhe raporti për emërimin e kryetarëve dhe anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Deputeti i PDK-së dhe kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, tha se këto propozime ende nuk janë procesuar në Kuvend.
Ai ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, për ditën kur i shkruajti email AKP-së, sipas tij, 15 minuta para se kjo ndërmarrje të merrte vendim për kthimin e 1500 hektarëve në pronësi të shtetit.
“Pse bash 15 minuta para vendimmarrjes, kryeministri merr vendim dhe e ndërprenë procesin. Jam habitë sepse kryeministri edhe Kur AKP ka pasë në rend dite ta kthejë një pronë 1500 hektarë, kryeministri 15 minuta para vendim-marrjes shkruan email dhe kërkon të ndërpritet kjo ndërmarrje. Pse kryeministri, kush e rekomandoi që duhet me ndërhy direkt për mos kthimin e këtyre aseteve të shtetit. Dil kryeministër e sqaroje çka po të ngutet”, ka thënë Shala.
Por kryeministri Albin Kurti edhe pse i pranishëm në seancë, nuk doli të japë asnjë sqarim.