Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) të hënën vulosën akuzat kundër gjashtë oficerëve të inteligjencës ruse të akuzuar për kryerjen e sulmeve kibernetike të sponsorizuara nga shteti që përfshinin rrëzimin e rrjetit elektrik të Ukrainës dhe ndërhyrjen në zgjedhjet e Francës, raporton Kosova Post.
Zyrtarët besohet të jenë të lidhur me Njësinë 74455 të Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Rusisë (GRU), sipas Departamentit të Drejtësisë, i cili renditi të pandehurit si Yuriy Sergeyevich Andrienko, 32 vjeç, Sergey Vladimirovich Detistov, 35 vjeç, Pavel Valeryevich Frolov, 28 vjeç, Anatoliy Sergeyevich Kovalev, 29 vjeç, Artem Valeryevich Ochichenko, 27 vjeç dhe Petr Nikolayevich Pliski, 32 vjeç.
SHBA akuzoi në vitin 2018 shtatë oficerë të lidhur me Njësinë 74455 në lidhje me përpjekjet e Moskës për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Akuzat e fundit nuk kanë të bëjë me ato aktivitete.
Secili nga të akuzuarit përballet me shtatë akuza, duke përfshirë komplotin për kryerjen e mashtrimit kompjuterik, dëmtimin e kompjuterëve të mbrojtur, vjedhje të rëndë të identitetit dhe akuza të tjera.
“Asnjë vend nuk i ka keqpërdorur aftësitë e saj kibernetike me qëllim të keq apo të papërgjegjshëm si Rusia, duke shkaktuar dëme të papara për të arritur avantazhe të vogla taktike dhe për të kënaqur inatet”, thuhet në deklaratën e Ndihmës Prokurorit të Përgjithshëm për Sigurinë Kombëtare, John Demers.
“Sot departamenti ka akuzuar këta oficerë rusë për kryerjen e serive më të dëmshme dhe më shkatërruese të sulmeve kompjuterike që i janë atribuar ndonjëherë një grupi të vetëm, përfshirë lëshimin e malware NotPetya. Asnjë komb nuk do të rimarrë madhështinë me këto sjellje”, shtoi ai.
Sulmi NotPetya vlerësohet gjerësisht si sulmi më i kushtueshëm kibernetik në histori. Ai infektoi kompjuterët në të gjithë botën në vitin 2017, kurse SHBA-ja këmbëngulte me vendosmëri se kjo ishte vepër e qeverisë së Rusisë.
Përveç këtij sulmi, të akuzuarit ngarkohen për përfshirje në fushatat e vitit 2017 që kishin në objektiv partinë politike të presidentit francez, Emmanuel Macron, si dhe politikanë të tjerë gjatë zgjedhjeve kombëtare të atij viti, shkruan AA. Akuzat i referohen më tej një fushate piraterie kundër Lojërave Olimpike Dimërore PyeongChang 2018 që pati në shënjestër ceremoninë e hapjes si hakmarrje për ndalimet e vendosura ndaj atletëve rusë lidhur me programin e dopingut të sponsorizuar nga shteti rus.