Stërvitja “Malabar” shihet si një përpjekje për të kundërshtuar aktivitetet e shtuara të Kinës në rajonin Indo-Paqësor.
Ka filluar stërvitja e përbashkët e marinës së SHBA-së, Japonisë, Australisë dhe Indisë në Gjirin e Bengalit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Agjencia e lajmeve Kyodo në lajmin e bazuar në burimet e Forcës Detare të Vetë-Mbrojtjes Japoneze (MSDF) njoftoi se ka filluar stërvitja “Malabar 2021” e aleancës Quad të formuar nga 4 vendet.
Sipas MSDF, në stërvitje po marrin pjesë transportuesi i avionëve të marinës bërthamore të SHBA-së, Carl Vinson, një fregatë australiane, një shkatërrues indian dhe dy anije japoneze.
Zëvendës sekretari i Kabinetit në Japoni, Kihara Seiji në një konferencë për media tha se ata shpresojnë se stërvitja do të forconte marrëdhëniet e 4 vendeve në mënyrë që të realizohet vizioni “Indo-Paqësor i lirë dhe i hapur”.
Stërvitja e përbashkët në Gjirin e Bengalit në verilindje të Oqeanit Indian do të vazhdojë deri nesër. “Malabar” shihet si një përpjekje për të kundërshtuar aktivitetet e shtuara të Kinës në rajonin Indo-Paqësor.
Japonia mori pjesë në stërvitjet “Malabar” në vitin 2015, të cilat u mbajtën për herë të parë në vitin 1992 nga marinat indiane dhe amerikane.