Kur flasim mbi synimet e presidentit rus Vladimir Putin në lidhje me Evropën, duhen marrë parasysh shumë data. Për shembull, një pikënisje e mirë mund të jetë dhjetori i vitit 2005, një muaj pasi Angela Merkel u betua si kancelare e Gjermanisë.
Paraardhësi i saj Gerhard Schröder, një mik i ngushtë i Putinit, të cilin e quante një “demokrat pa asnjë të metë”, iu bashkua bordit të projektit “Nord Stream” të kompanisë ruse Gazprom.
I projektuar për të dërguar gazin direkt nga Rusia në Gjermani, duke anashkaluar linjat e tranzitit në Ukrainë dhe Poloni, ky gazsjellës është shndërruar sot në një mollë sherri midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe midis vetë qeverive evropiane.
Projekti ka një domethënie të caktuar për qasjen e qëndrueshme të Gjermanisë në të ashtuquajturën Ostpolitik (politika e fokusuar drejt Lindjes), një dukuri e Luftës së Ftohtë, e bazuar në besimin se dialogu, ulja e tensioneve dhe tregtia do ta bënin Evropën mëtë sigurt, dhe do ta afronin Rusinë me Perëndimin.
Por asgjë e tillë nuk ndodhi gjatë viteve të Schröder apo Merkel në krye të Gjermanisë. Përkundrazi, Putini është sjellë siç ka dashur, pa asnjë pengesë serioze.
Ai e pushtoi Gjeorgjinë në vitin 2008, duke ia rrëmbyer krahinat e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut.
Për turpin e Perëndimit, kundërpërgjigja ishte e dobët. Ai pushtim i dha Putinit besimin e nevojshëm për të aneksuar gadishullin e Krimesë nga Ukraina, dhe për të pushtuar Ukrainën Lindore në vitin 2014.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i vendosën sanksione – kryesisht të gabuara dhe që nuk patën asnjë efekt – nga të cilat Rusia nuk pësoi ndonjë dëm serioz.
Dhe tani, përveç largimit nga traktatet e kontrollit të armëve, Putini po tregohet edhe më agresiv,duke grumbulluar rreth 100.000 trupa ruse në kufi me Ukrainën, si të ishte gati për një pushtim tjetër edhe më të madh të një vendi të pavarur dhe sovran.
Këto veprime kanë të bëjnë kryesisht me testimin e sjelljes së Shteteve të Bashkuara,
NATO-s dhe Evropës. Ato kanë lidhje me rikthimin e epokës së pas Luftës së Ftohtë, duke e rikonfirmuar ndikimin ushtarak dhe politik të Rusisë para vitit 1989 në Ukrainë, Gjeorgji dhe vende të tjera të rajonit.
Ato pasqyrojnë një përplasje të rrezikshme të realiteteve gjeopolitike dhe historike, me të cilat administrata e presidentit amerikan Joe Biden duhet të përballet teksa përgatitet për samitin e 10 janarit në Gjenevë midis zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë.
Testet dhe kërcënimet e Putinit ndaj Perëndimit, përmbahen në dy tekste të publikuara muajin e kaluar nga Kremlini. Një tekst, që përbën de fakto një ultimatum, titullohet “Traktati midis Shteteve të Bashkuara dhe Federatës Ruse për Garancitë e Sigurisë”.
E dyta është një “Marrëveshje mbi masat për garantimin e sigurisë së Federatës Ruse dhe shteteve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut”.
Synimi i deklaruar i Moskës, është të marrë pa vonesë garanci ligjore të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO.
Që të dyja këto dokumente synojnë të frikësojnë dhe ndalojnë NATO-n nga zgjerimi i mëtejshëm drejt lindjes, duke përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Dhe kjo pavarësisht premtimeve të liderëve të NATO-s në samitin e Bukureshtit të vitit 2008, se të dyja vendet mund t’i bashkohen një ditë aleancës.
Ndalemi pak tek Nenin 4 i të ashtuquajturit traktat mbi garancitë e sigurisë. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës angazhohen të parandalojnë zgjerimin e mëtejshëm drejt lindjes së Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, dhe t’i mohojnë anëtarësimin në aleancë shteteve të ish-Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike.