Koreja e Veriut dënoi stërvitjet ushtarake të Shteteve të Bashkuara me Korenë e Jugut që fillojnë këtë javë, duke thënë se stërvitjet tregojnë për nevojën që Pheniani të zhvillojë më shumë aftësitë e tij ushtarake.
Agjencia e lajmeve Yonhap tha se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut filluan të martën stërvitjen paraprake përpara stërvitjeve ushtarake të përvitshme verore, transmeton Kosova Post.
Ushtrimet e simuluara me kompjuter po zvogëlohen mes pandemisë së koronavirusit dhe frikës se mund të shqetësojnë Korenë e Veriut, e cila kohët e fundit la të kuptohet se është e interesuar për dialog me Korenë e Jugut.
Por, pavarësisht përmasave ose formës, Koreja e Veriut i sheh stërvitjet ushtarake si një akt agresioni, tha të martën Kim Yo Jong, motra e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Sipas një deklarate të publikuar nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve, ajo tha se stërvitjet përkeqësojnë “situatën e paqëndrueshme” në Gadishullin Korean.
Për të përballuar “kërcënimet ushtarake gjithnjë në rritje nga Shtetet e Bashkuara, Koreja e Veriut do të avancojë më tej aftësitë e saj të “mbrojtjes kombëtare” dhe “goditjeve të fuqishme parandaluese”, shtoi ajo, pa dhënë më shumë hollësi.