Administrata e SHBA-së njoftoi se ka hequr vendimin e sanksioneve ndaj kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) Fatou Bensouda dhe ndaj prokurorëve të tjerë që hetojnë pretendimet se ushtarët amerikanë kanë kryer krime lufte në Afganistan, transmeton Kosova Post.
Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken në një deklaratë me shkrim lidhur me çështjen njoftoi heqjen e sanksioneve dhe kufizimin e vizave të vendosura në periudhën e ish-presidentit Donald Trump.
Në deklaratën e tij Blinken bëri të ditur se presidenti Joe Biden ka anuluar dekretin presidencial me nr. 13928 të nënshkruar në periudhën e Trumpit dhe se për këtë arsye është hequr vendimi i sanksioneve ndaj kryeprokurores së GJNP-së, Fatou Bensouda dhe ndaj prokurorëve të tjerë.
Blinken tha se ende mendojnë plotësisht ndryshe me GJNP-në për çështjet lidhur me ushtarët amerikanë në Afganistan dhe lidhur me akuzat ndaj Izraelit për Palestinën. Ai shtoi se bashkë me këtë besojnë se këto mosmarrëveshje duhet të diskutohen në tryezë nëpërmjet dialogut në vend të vendosjes së sanksioneve ndaj anëtarëve të gjykatës.
GJNP në marsin e vitit të kaluar dha autorizim për fillimin e hetimit rreth pretendimeve se SHBA-ja ka kryer krime lufte në Afganistan ndërsa ky hap shkaktoi reagimin e administratës amerikane.
Ish-presidenti amerikan Donald Trump me një dekret presidencial që nënshkroi më 11 qershor 2020 dha urdhër për zbatimin e disa sanksioneve, përfshirë konfiskimin e pasurive në SHBA dhe hyrjes në vend ndaj zyrtarëve të GJNP-së.(AA)