Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar një shpjegim nga Serbia pasi e nënshkruan një marrëveshje me Rusinë në Nju Jork.
Kështu tha ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, sipas Rs.n1info.
Kryediplomatët e Serbisë dhe Rusisë, Nikola Selakoviq dhe Sergej Lavrov, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, firmosën Planin Konsultativ të Ministrive të Punëve të Jashtme të të dyja vendeve për dy vitet e ardhshme.
“Në këtë moment, askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë, shumë pak e bëjnë. Përveç atyre rekrutëve të varfër që po mobilizohen për të shkuar në luftë”, deklaroi Hill në një fjalim para gazetarëve pas forumit rajonal “Qeverisja e mirë dhe politikat kundër korrupsionit në kohë pasigurie gjeopolitike”.
Mes tjerash, ambasadori Hill theksoi se gjatë javës së kaluar në Nju Jork janë zhvilluar bisedime të shkëlqyera ndërmjet delegacioneve të SHBA-së dhe Serbisë dhe se në fund të javës edhe pas gjithë atyre bisedimeve kanë marrë vesh për nënshkrimin e protokollit.
Shtoi se nuk e kanë parë protokollin e nënshkruar, pasi nuk është dokument publik.
“Është e vështirë për ne ta kuptojmë, por duam të dëgjojmë një shpjegim të asaj që është në rrezik”.