SHBA kërcënon Britaninë

SHBA kërcënon Britaninë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Britani të Madhe ka kërkuar nga Britania që të vendoset në anën e presidentit Donald Trump në çështjen e Iranit ose do të përballet me pasoja serioze.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Britani, Woody Johnson ka thënë se Britania duhet të pajtohet me sanksionet e presidentit Trump për Iranin dhe të largohet nga partnerët europianë që po kërkojnë të mbajnë gjallë marrëveshjen e vitit 2015 me Iranin.

“Amerika po vendos presion, dhe ne dëshirojmë Britaninë e Madhe në anën tonë. Është koha që të lëvizim nga marrëveshja e çalë“, deklaroi ambasadori Johnson.

“Ne kërkojmë që Britania të përdorë fuqinë e saj diplomatike dhe influencën që të bashkohet me ne”, ka shtuar ai.

Në një deklaratë të përbashkët javën e kaluar Britania, Franca dhe Gjermania deklaruan se marrëveshja me Iranin po funskiononte dhe po arrinte qëllimin, dhe se ata ndjejnë shumë keqardhje për rikthimin e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara.

Ambasadori amerikan në Britani nuk është pajtuar me këto deklarata duke kërkuar distancimin e Britanisë nga Irani.

Presidenti iranian Hassan Rouhani i ka përshkruar sanksionet si “luftë psikologjike”, por pastaj ka deklaruar se Irani është i gatshëm që të mbajë bisedime me Shtetet e Bashkuara për të gjetur zgjidhje për këtë çështje, diçka që këshilltari i sigurisë për Shtëpinë e Bardhë, John Bolton, e ka cilësuar si propagandë./21Media