SHBA-ja do të paguajë më shumë se 200 milionë dollarë detyrime ndaj Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tha sekretari i Shtetit, Antony Blinken, transmeton Kosova Post.
Fondet, të cilat përfshijnë detyrime financiare aktuale, do të paguhen deri në fund të muajit, i tha Blinken Këshillit të Sigurimit të OKB-së derisa diskutoi për pandeminë e COVID-19. “Ky është një hap kyç përpara në përmbushjen e detyrimeve tona financiare si anëtar i OBSH-së”, tha ai. “Kjo pasqyron angazhimin tonë të ripërtërirë për të siguruar që OBSH-ja të ketë mbështetjen e nevojshme për të udhëhequr luftën globale ndaj pandemisë, edhe kur ne punojmë për ta reformuar atë për të ardhmen”, tha Blinken.
Për më tepër, administrata e Biden-it po planifikon të sigurojë “mbështetje të konsiderueshme financiare” për programin e vaksinave COVAX të OKB-së, shtoi Blinken. Trump në vitin 2020 vendosi në mënyrë të njëanshme ta tërheqë SHBA-në nga OBSH-ja midis mosmarrëveshjeve në lidhje me trajtimin e saj të pandemisë së koronavirusit.
Blinken pranoi se organizata ka nevojë për reforma të rëndësishme, por tha se mbështetja e SHBA-së është jetike pasi ajo luan një rol kryesor në luftimin e pandemisë. Ai theksoi se raporti i ardhshëm i ekspertëve të OBSH-së mbi origjinën e virusit “duhet të jetë i pavarur, me gjetje të bazuara në shkencë dhe fakte dhe pa ndërhyrje”, në një referencë të mundshme për Kinën.porsdoday.