Autoritetet amerikane filluan dëbimin e mijëra qytetarëve të Haitit nga qyteti kufitar i Teksasit, Del Rio.
Shumë prej tyre u grumbulluan nën një urë atje, pasi kaluan nga Meksika.
Mbi 320 migrantë u kthyen me tre aeroplanë në kryeqytetin e Haitit të dielën mbrëma.
Agjentët e kontrollit kufitar gjithashtu kërkuan të mbyllin pjesë të kufirit për të parandaluar kalimet e reja përmes lumit Rio Grande, i cili ndan Meksikën dhe Shtetet e Bashkuara.
Meksika tha se do të fillojë po ashtu dëbimin e haitianëve në vendlindjen e tyre.
Sipas republikanëve, Biden krijoi valë të re migrimi, pasi në fund të korrikut lëshoi një urdhër që lejonte migrantët nga Haiti – pa viza amerikane në atë kohë – të qëndrojnë në SHBA.
Ky urdhër, megjithatë, nuk vlente për migrantët e rinj.
Mbi 50 demokratë, në anën tjetër, i bënë thirrje Bidenit që t’i ndalojë dëbimet në Haiti, duke përmendur shqetësimet humanitare.
Haiti është ende duke luftuar pasojat e një tërmeti të madh që la më shumë se 2,000 njerëz të vdekur dhe mijëra të tjerë të pastrehë, si dhe pasojat e vrasjes së presidentit të vendit, Jovenel Moise, në muajin korrik./REL