Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, në takimin me koordinatorin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara (OKB) për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, Nickolay Mladenov, ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për t’u angazhuar në bisedime me grupin palestinez Hamas që synojnë përmirësimin e kushteve në Rripin e Gazës së pushtuar, transmeton Kosova Post.
Në llogarinë e tij në twitter, Gantz shprehu mirënjohjen e tij për Mladenov “për ndihmën e tij që lehtësoi rifillimin e koordinimit me Autoritetin Palestinez” dhe po ashtu për të diskutuar atë që ai e quajti “shkelje të sovranitetit tonë në jug nga Hamasi”.
Gantz po ashtu tha se Izraeli është i përgatitur “të arrijë një zgjidhje dhe të kontribuojë në pëmirësimin e kushteve për banorët e Gazës”, me kusht që të arrihet një mirëkuptim që përfshin lirimin e ushtarëve izraelitë të arrestuar nga Hamasi.
Deri më tani nuk ka patur ndonjë përgjigje nga Hamasi ndaj komenteve të ministrit izraelit.
Rripi i Gazës vuan nga një mungesë akute e ushqimit dhe furnizimeve mjekësore, si dhe papunësi ekstreme e përbërë nga një krizë e rëndë e energjisë elektrike si rezultat i bllokadës izraelite të vendosur mbi të që nga viti 2007.
Hamas mban katër të burgosur izraelitë, përfshirë dy ushtarë të kapur gjatë luftës izraelite në Gaza në verën e vitit 2014. Hamas ka kërkuar lirimin e të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli në këmbim të izraelitëve.aa