Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka bërë thirrje për sanksione kundër Iranit për shkak të përdorimit të dhunës për të shtypur protestat e përhapura nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila ndërroi jetë përderisa ishte në paraburgim pasi u ndalua nga policia për mos mbajtjen e shamisë siç duhet, transmeton Kosova Post.
Për agjencinë gjermane të lajmeve ‘DPA’, Baerbock tha se përpjekjet për të shtypur protestat paqësore me dhunë vdekjeprurëse në Iran nuk duhet të mbeten pa përgjigje dhe se përgjegjësit duhet të përballen me sanksione.
Duke theksuar se të drejtat e grave janë një kriter i rëndësishëm për gjendjen e një shoqërie, ajo tha se nëse gratë nuk janë të sigurta në një vend, atëherë askush nuk është i sigurt.
Në një konferencë për media më herët në Berlin, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Christian Wagner, tha se ambasadori iranian në Berlin u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
22-vjeçarja Amini ndërroi jetë më 16 shtator në rrethana misterioze pasi u ndalua nga policia dhe u dërgua në selinë e policisë morale në Teheran.
Derisa autoritetet thonë se ajo ndërroi jetë nga arresti kardiak, familja e 22-vjeçares iraniane pretendon se ajo u rrah në paraburgim nga policia, gjë që ditët e fundit ka nxitur protesta të zemëruara në të gjithë Iranin dhe ka tërhequr dënime nga e gjithë bota./aa