Shënime historike për turqit e Ballkanit

Shënime historike për turqit e Ballkanit

Shkruan: Erhan Turbedar

Kryengritja greke e vitit 1821 pranohet si rasti i parë i ngjarjeve që sollën më pas spastrimin etnik sistematik dhe dëbimin e turqve dhe myslimanëve nga Ballkani. Kurse Masakra e Tripolit, që u realizua në kuadër të kësaj kryengritjeje, është një nga dramat më të mëdha të turqve në histori. Ajo që bënë kryengritësit grekë në Tripoli shërbeu si një model edhe për kombet e tjera të Ballkanit që ngritën krye në vitet e mëvonshme kundër Shtetit Osman. Si përfundim me të njëjtat metoda, për shkak të masakrave dhe syrgjynosjes, me të cilat u përballën turqit u dëbuan në masë të konsiderueshme nga Ballkani.

Sipas të dhënave të Justin McCarthy, para luftërave ballkanike të viteve 1912-1913, përveç Shqipërisë në tokat e marra nga pjesët e Shtetit Osman në Evropë jetonin 2 milionë e 315 mijë e 193 myslimanë. Pas luftërave ballkanike, kjo shifër u pakësua me 62 për qind dhe ra në 1 milionë e 445 mijë e 179. Në këtë proces, 632 mijë e 408 myslimanë vdiqën dhe 812 mijë 771 migruan në Anadoll. Historiani Stefanos Yerasimos ka shkruar se tërheqja e Shtetit Osman dhe krijimi i shtetkombeve të reja në Ballkan u perceptuan si rimarrje e tokave të humbura dhe se deri në fund të Luftës së Parë Botërore qëllimi ka qenë dëbimi i turqve nga Evropa.

Në regjimet e mëvonshme të mbretërisë dhe socializmit, që dominuan në periudhën post-osmane në Ballkan, turqit në përgjithësi janë parë me një sy skeptik dhe janë trajtuar si të huaj. Përveç kësaj, dimensione të ndryshme të mizorisë vazhduan gjithmonë në doza që dallonin nga njëra periudhë në tjetrën, dhe nga një vend në tjetrin. Për shembull, turqit iu nënshtruan politikave asimiluese, të cilat kryesisht u shfaqën në rastet e Bullgarisë dhe Trakisë Perëndimore. Masakrat dhe gjenocidi mbi boshnjakët në Luftën e Bosnjës, midis viteve 1992 dhe 1995, bënë që myslimanët e Ballkanit të përballen me periudha tragjike edhe në fund të shekullit të 20-të.

Politika të tilla që u ndoqën ndaj turqve dhe komuniteteve të tjera të afrishme me turqit ndryshuan rrënjësisht hartën etnike dhe fetare të Ballkanit. Sipas shifrave zyrtare, numri i përgjithshëm i myslimanëve në Ballkan sot është rreth 8 milionë. Kjo shifër korrespondon me 12% të popullsisë së përgjithshme të rajonit. Ndërkohë që sipas Kemal Karpat, i cili ka bërë një studim gjithëpërfshirës mbi popullsinë osmane, përqindja e myslimanëve në Ballkan në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të arrinte deri në 43%. Vetëm ky ndryshim kërkon në vetvete analizimin e procesit dhe arsyeve lidhur me pakësimin e pranisë turke dhe myslimane në Ballkan.

Në vendet e Ballkanit sot kanë ndodhur ndryshime të mëdha që interesojnë nga afër edhe gjendjen e pakicave turke në këto vende. Një pjesë e këtyre vendeve janë anëtarësuar në NATO dhe BE, kurse pjesa e mbetur po përparon në rrugën e integrimit me këto institucione. Gjëja më e rëndësishme është që në ditët e sotme në të gjitha vendet e rajonit në pushtet ka qeveri të zgjedhura me rrugë demokratike. Kështu, Ballkani ka hyrë në procesin e transformimit në një rajon më të qëndrueshëm, ku ligjet funksionojnë në masë të madhe, ka nisur të vendoset nocioni i demokracisë dhe të drejtat e njeriut janë të garantuara. Pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit janë bërë rregullime të rëndësishme për statusin ligjor dhe politik të pakicave. Ndërsa zhvillime të tilla kanë reflektime pozitive në jetën e përditshme të turqve në Ballkan, ende ekzistojnë disa praktika dhe probleme, që ndryshojnë nga vendi në vend. Në të vërtetë, problemet e turqve që jetojnë në vendet e Ballkanit herë pas here mund të bëhen temë edhe e agjendës.

You may also like

Dyqani palestinez ndalon hyrjen e amerikanëve

Gjatë periudhës së nazizmit ishin tregtarët gjermanë ata