Më të mirët në mesin e njerëzve, janë shërbëtorët. Prej këtyre të fundit, ata që i mësojnë të tjerët, pra mësuesit. Shërbimi që e ofron një mësues, është më i çmuari, parë nga të gjitha pikëpamjet filozofike të mundshme. Një prind që i edukon fëmijët, një pedagog që i edukon brezat, një i dijshëm që e orienton shoqërinë, janë thjesht, mësues të mirë. Nga ana tjetër, të shërbesh me mirësjellje, do të thotë të arrish stadin kulminant të njerëzores.
Shkruan: Imer Topanica
Islami, bashkë me narracionet që na vijnë nga fetë e tjera abrahamike, na mëson se urtia, është dhuratë prej Zotit, si çdo gjë tjetër në këtë jetë. Nga ky prizëm religjioz, një njeri pajiset me urti (si dhuratë hyjnore), për të çarë hullinë e për t’iu prirë njerëzve përpara, në mënyrë që t’ua tregojë rrugën. Për këtë shkak, misioni i tij vishet me një petk sakral. Mirëpo ai nuk cilësohet si i tillë nëse shfaqë doza arrogance. Kjo sjellje, assesi nuk mund ta karakterizojë atë…
Më 14 shkurt të këtij viti shoqëria kosovare e dënoi hajdutërinë. Në zgjedhjet e djeshme, siç duket, vendosi ta dënonte injorancën. Kjo tregon se ngadalë, ngadalë, por me kujdes, po tregon që po piqet në kuptimin demokratik.
Zgjedhjet në Kosovë, në dekadat e fundit, janë referencë për të gjitha vendet e rajonit, e ndoshta edhe përtej. Fushatat zgjedhore po zhvillohen qetë, pa incidente. Ato po ndikojnë edhe në ditët e votimit. Ky është një kapital i madh demokratik!
Ndryshimet në skenën politike, vetëm në dekadën e fundit, janë për t’u studiuar. Në retrospektivë shohim se si sovrani po ua jep pushtetin disave, duke ua dhënë mundësinë që t’i shërbejnë, por kur po bëhen arrogantë, shpërfillës, të pa edukatë etj, po ua rrëmben fill.
Mekanizmi i rrotës së historisë, ka filluar të sillet për së mbari. Janë forcuar edhe kriteret. Fakti që para pak kohësh na u shfaq nevoja për t’i larguar nga kurrizi i shoqërisë hajdutët, tash edhe injorantët, tregon shumë.
Por t’i kthehemi çështjes së shërbëtorit…
Në Japoni, paga më e lartë iu ndahet pastruesve të ambienteve publike. Madje ata nuk quhen as pastrues, por inxhinierë. Japonezët i futen një gare të fortë tradicionale për ta fituar një status të tillë (të inxhinierit), sepse, të kujdesesh për pastërtinë e ambientit publik, për ta është nder. Kaq lart çmohet një shërbim i tillë.
Këtë standard duhet ta synojmë gjithsecili prej nesh. Nëse të është dhënë mundësia t’iu shërbesh të tjerëve, me mjetet që të janë besuar (nga Zoti), bëje këtë me përulësi.