Bregdeti lindor i Australisë është përfshirë nga reshjet e mëdha të shiut, duke shkaktuar vërshime të rrezikshme që e bën të detyrueshme zhvendosjen e banorëve nga disa zona. Uji i vërshimeve u fut nëpër shtëpi, bllokoi rrugë dhe e ndërpreu energjinë elektrike.
Në qytetin më të madh të Australisë, Sydney, autoritetet u bënë thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpi, sepse një digë e madhe është stërmbushur dhe uji ka filluar të dalë jashtë saj si dhe një tornado i vogël e goditi pjesën periferike perëndimore.
Në shumicën e bregdetit të rajonit të Uellsit të Ri Jugor, ku banon rreth një e treta e popullsisë 25-milionëshe e Australisë, tashmë është shënuar rekord i reshjeve të shiut për muajin mars. Autoritetet kanë paralajmëruar se reshjet mund të vazhdojnë edhe disa ditë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
“Urrej ta them këtë përsëri për të gjithë qytetarët e shtetit, por nuk do të jetë javë e lehtë për ne. Shiu mund të mos ndalet deri të enjten apo të premten”, deklaroi kryeministrja rajonale e Uellsit të Ri Jugor, Gladys Berejiklian.
Deri të shtunën pasdite sipas kohës lokale, autoritetet kanë lëshuar nëntë urdha për evakuim për rreth 15 zona shkaku i rrezikut nga vërshimet.
Pamjet e publikuara në televizione treguan dëme të konsiderueshme të vërshimeve, ku uji ka arritur deri te dritaret e shtëpive dhe rrugët ishin të bllokuara. Në një video shihet një shtëpi e tërë duke u lëvizur nga uji. Mediet lokale raportuan se pronarët e saj kanë arritur të largohen paraprakisht.