ShKA “Agimi”, letër të hapur kryetarit Haskuka për përkrahje të grupit jo legjitim

ShKA “Agimi”, letër të hapur kryetarit Haskuka për përkrahje të grupit jo legjitim

Shoqëria Kulturore Artistike AGIMI i ka dërguar një letër të hapur kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Ehat Oreshka, ku ka paraqitur parregullsitë me të cilat po përballet kjo Shoqëri.

ShKA “Agimi” thotë se Komuna e Prizrenit është duke e përkrahur një grup jo-legjitim të kësaj Shoqate duke bashkëorganizuar koncerte për data të rëndësishme të vendit.

Më poshtë ju sjellim të plotë letrën e kryesisë së ShKA “Agimi”.

Letër e hapur Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Drejtorëve të Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Reagim ndaj përkrahjes së grupit jo legjitim të ShKA ‘’AGIMI’’

I nderuari Z.Mytaher Haskuka,

I nderuari Z. Ehat Oreshka,

I nderuari Z. Skender Susuri,

Jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer nga përkrahjet e fundit të Komunës së Prizrenit ndaj grupit jo legjitim të ShKA ‘’AGIMI”. Kryesia e ShKA ‘’AGIMI’’ ju ka njoftuar që në fillim të mandatit tuaj për të gjitha parregullsitë të cilat janë duke ndodhur në emër të shoqërisë ‘’AGIMI’’ nga një grup individësh, të ardhur njëherë nga një Kryesi me mandat të kaluar, e së fundmi të vetëshpallur Kryesi e ShKA ‘’AGIMI’’. Reagimet tona të shumta publike kanë vënë në pah parregullsitë e vazhdueshme të cilat janë duke ndodhur në objektin e mbajtur peng nga ky grup jo legjitim, dhe për më tepër për venitjen e vlerave kulturore të ShKA ‘’AGIMI’’. Koncerti ynë protestë për nder të 28 Nëntorit ka dëshmuar për anëtarësinë e vërtetë të ShKA ‘’AGIMI”, të cilët vazhdojnë të mbeten jashtë dyerve të shoqërisë ku kanë kontribuar me dekada.

Ndaj të gjitha shqetësimeve të lartëcekura, së fundmi është vërejtur përkushtimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, posaçërisht Ministrit z.Kujtim Gashi, me angazhimin e të cilëve ka filluar procesi për kristalizimin e situatës dhe inicimin e procedurave për mbajtjen e një Kuvendi Zgjedhor demokratik. Me inicimin e MKRS-së, është krijuar një grup punues (me nga tre përfaqësues), të cilët më datë 17 janar 2018 kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi e cila siguron që palët e ngarkuara do të punojnë së bashku në hartimin e statutit të ri konform ligjeve në fuqi. Kjo marrëveshje pezullon mandatin e përfaqësuesve aktual të këtij institucioni, deri në zgjedhjen e Kryesisë së dalë nga Kuvendi Zgjedhor. Pas marrëveshjes së nënshkruar, grupet janë takuar për të punuar rreth finalizimit të statutit të ri dhe përgatitjeve për Kuvendin Zgjedhor të përbashkët. Pjesë e konstruktive e këtij takimi ishte edhe Drejtori i DKRS-së në Komunën e Prizrenit, z. Ehat Oreshka.

Ne i jemi përmbajtur plotësisht marrëveshjes së nënshkruar, duke ndërprerë të gjitha aktivitetet, deri në kristalizimin e situatës dhe jemi në pritje të hapave të mëtutjeshme nga ana e MKRS-së. Përderisa treshja tjetër ka vazhduar me keqpërdorimin e marrëveshjes së arritur, duke vazhduar ‘’aktivitetet’’ dhe marrjen e vendimeve të rëndësishme në emër të ShKA ‘’AGIMI”.

Përkrahja e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me rastin e Koncertit Festiv të datës 17 Shkurt dhe së fundmi përkrahja e Drejtorisë së Arsimit në bashkëorganizimin e Koncertit Festiv të datës 07 Mars ndaj këtij grupi, aktiviteti i të cilit është pezulluar sipas marrëveshjes së përpiluar nga përfaqësuesit ligjorë të MKRS-së, është një goditje e rëndë për vlerat kulturore dhe transparencën në qytetin tonë. Përkrahja e individëve të cilët janë duke keqpërdorur emrin e Sh.K.A ‘’AGIMI’’ paraqet një bashkërendim me grupin jo legjitim që ka shndërruar vatrën e kulturës në një kafene burrash, dhe ka shuar zërat e anëtarëve të vërtetë duke i mbajtur jashtë objektit të Sh.K.A ‘’AGIMI’’.

Ne konsiderojmë se përkrahja e këtij grupi, përbën shkelje të vullnetit artistik të individëve të mbetur jashtë dyerve të shoqërisë ‘’AGIMI’’ dhe për më tepër shkelje të vullnetit të angazhimit të kapaciteteve njerëzore dhe material të MKRS-së në kristalizimin e situatës në shoqërinë tonë.

Me respekt,

Kryesia e ShKA Agimit (Besim Berisha, Agnesa Laçi Çipa, Arben Mashkulli, Flaka Xërxa, Fikrim Emra, Arbëreshë Berisha dhe Luljeta Braha)

You may also like

Kosova pret rekomandime pozitive nga Holanda për liberalizimin e vizave

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Behgjet