Sot është mbajtur një panel diskutimi në kuadër të manifestimit ‘Java Çame’ që tani më disa ditë po mbahen organizime të ndryshme në përkujtimin e shqiptarëve çamë që u vranë nga forcat greke 77 vite më parë, apo e njohur ndryshe si gjenocidi grek.
Të pranishëm ishin personazhe të njohura, si Shpëtim Idrizi, kryetar i partisë Drejtësi, integrim dhe Unitet, në Shqipëri, shkrimtari Kim Memeti e historiani Arben Lllalla. Hapja e panel diskutimit u bë me intonimin e himnit kombëtar.
I pari që mori fjalën ishte Shpëtim Idrizi, i cili tha se Çamëria është një pjesë që gjithmonë ka qenë e banuar nga shqiptarët dhe për këtë nuk ka debat historik, ndërsa kujtoi edhe disa momente të treguara nga gjyshja e tij.
“Kujtoj edhe kujtimet e gjyshes sime e cila e para që më ka folur për Çamërinë, e cila më thoshte, sigurisht në dialektin çam, ka qenë një besimtare shumë e madhe dhe thoshte kështu. Okej vinin komisione ndërkombëtare dhe na pyesnin nëpër shtëpi “Qysh jeni, qysh gjuhe flisni, qysh hani? Kjo është dialekti çam dhe i thoshim shikoni ne jemi shqiptarë. Në ndërkohë stopoi ikja e shqiptarëve drejt Turqisë, po fatkeqësisht ajo kishte ndryshuar tashmë edhe nga pikëpamja demografike sepse zonat u populluan tashmë nga grekët e Azisë”
Më pas fjalën e vazhdoi historiani Arben Llalla, i cili u shpreh se vllehët dhe grekët kanë bashkëpunuar me nazistët gjermanë dhe jo çamët, duke i quajtur si të pavërteta akuzat e grekëve ndaj shqiptarëve.
“Duhet thënë që shqiptarët e Çamërisë, rreth 5000 nga këta ishin partizan, 3000 ishin ushtarë partizane greke dhe 2000 tjerë në partizanët e Shqipërisë Çamët ishin të pasur, mbanin njëri tjetrin, ishin në një pjesë të mirë pjellore dhe nga viti 1941 kur ushtria Gjermane bëri një Marrëveshje me Greqinë, pra gjermanët bënë bashkëpunim me Qeverinë greke, ka pasur rreth 30. 000 grek me forcat naziste gjermane dhe rreth 8 000 vlleh nga Çamëria, që ishin bashkë me trupat naziste”.
Ndërkaq, Kim Memeti, tha se burrshtetasit shqiptarë asnjëherë nuk kanë reflektuar se çfarë mendojnë shqiptarët për ata, prandaj ka ndodhur që të kemi shumë pak politikanë proshqiptarë.
“Sipas meje Çamëria është pasqyrë, ku më së miri shihet fytyra e shqiptarëve që janë të sëmurë keq dhe që vuajnë nga sëmundja e harresës së shpejtë dhe aty shihet fytyra e politikanëve, e burrështetasve shqiptarë që ne gjithmonë kemi pasur burrështetas pakurrizorë”.
Ndërsa, pas mbarimit të diskutimi, tek platoja e kalasë së Shkupit kishte organizim të valleve çame nga disa të rinj.