Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania janë duke i bashkërenduar qëndrimet për procesin e dialogut në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, Donika Emini dhe Rrahman Paçarizi.
Sipas tyre, në favor të këtij bashkërendimi janë letra e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, por edhe vizita e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, në Prishtinë dhe Beograd.
Në letrën që presidenti amerikan i ka dërguar presidentes së Kosovës, më 20 prill, është thënë që SHBA-ja mbështet arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse e cila “do të përqendrohej në njohjen reciproke”, por që “për arritjen e këtij qëllimi, kërkohet fleksibilitet dhe kompromise të vështira”.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, i cili më 22 prill ka vizituar Prishtinën ndërkaq një ditë më vonë edhe Beogradin, ka theksuar që Gjermania ofron mbështetje për dialogun Kosovë-Serbi dhe se një nga elementet e marrëveshjes do të jetë njohja e shtetësisë së Kosovës. Megjithatë, ai ka kërkuar që “të ketë gatishmëri nga të dyja palët që të gjejnë rrugë për kompromise”.
“Është e rëndësishme që ky dialog të mos mbahet vetëm për hir të dialogut, duhet të ketë rezultate. Gjermania është e gatshme të ndihmojë në këtë aspekt”, ka deklaruar Mass.
Donika Emini, Drejtoreshë Ekzekutive e Platformës CiviKos, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se marrë parasysh ekzistimin e një bashkërendim në nivelin e partnerëve strategjikë të Kosovës në raport me dialogun, si dhe legjitimitetin që Qeveria e Kosovës e ka brenda vendit kjo e fundit e ka mundësinë që t’i përdorë për të mirë këto rrethana.
Por, sipas saj, Qeveria e Kosovës, duke pretenduar që dialogu nuk është prioritet ka ndërtuar një narracion kundër këtij procesi dhe kjo mund t’i sjellë probleme asaj.
“Është Marrëveshja e Asociacionit (të komunave me shumicë serbe) e cila do të jetë problemi më i madh. Mendoj që asaj i referohet pikërisht (presidenti i SHBA-së, Joe) Bideni. Por, aty janë edhe kompromiset që i ka përmendur edhe Gjermania. Të dy vendet kanë qasje jokonvencionale për Kosovën, sepse njëra (SHBA-ja) e mbështet Asociacionin, ndërkaq tjetra, Gjermania ka ardhur edhe me modele të tjera, siç janë: autonomia (për veriun e Kosovës), Tiroli Jugor, të dy Gjermanitë. Do të thotë kanë qarkulluar modele të ndryshme të modalitetit se si do të duket marrëveshja përfundimtare në aspektin politik”.
Ajo shtoi se në rast se qeveria e kryeministrit Kurti nuk i pëlqen opsionet e propozuara nga të dyja vendeve partnere, atëherë duhet të ketë një kundër-propozim të arsyeshëm dhe që mund të funksionojë dhe jo “vijat e kuqe, të cilat i ka vendosur deri më tash”, e që sipas saj, kanë qenë false.
Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që zhvillimet lidhur me dialogun paralajmërojnë mundësinë që ky proces po hyn në fazën përfundimtare, ku kërkohet një zgjidhje dhe ku kërkohet kompromisi.
Sipas tij, vështirë se do të ketë një zgjidhje, e cila do të përfundonte me njohje të ndërsjellë, pa kompromise.
Siç thotë Paçarizi, kërkesa për kompromis ndaj Kosovës është e orientuar kah funksionalizimi i Marrëveshjes së Brukselit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Por, sipas tij, në tavolinën e bisedimeve Serbia pritet të shtrojë kërkesa edhe për të drejta shtesë për serbët në Kosovë për status të veçantë për Kishën Ortodokse Serbe dhe kërkesa të tjera të cilat e bëjnë shumë më të vështirë vendimin e Kosovës dhe të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.
Ky i fundit, sipas tij, tash e më shumë se dhjetë vjet është i angazhuar pikërisht kundër këtyre çështjeve që mund të kërkohen si kompromis nga Kosovë, por që në fakt, nga partnerët perëndimorë shihen si mundësi për pengimin e idesë dhe tendencave për ndarjen e Kosovës.
Siç thotë Paçarizi, Kosova do të detyrohet të bëjë kompromis, por kompromisi i vetëm që mund të duket i pranueshëm është formimi i Asociacionit, sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, por me vërejtjet që i ka bërë Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me të.
“Nuk është zgjidhja më e mirë. Është një zgjidhje shumë e keqe, por megjithatë, është një zgjidhje, e cila ndoshta mund të pranohet. Ndërkohë, nëse kalohet në kërkesa të tjera, siç është ajo për status të veçantë të Kishës Ortodokse Serbe, si dhe çështje të tjera që po diskutohen apo një status tjetër të një entiteti serb brenda Kosovës, këto mendoj që do të ishin aq të dëmshme, sa që nuk do t’ia vlente barra qiranë dhe nuk do të mund të arsyetoheshin as me njohjen e Kosovës nga Serbia dhe me konsolidimin e plotë të shtetësisë së Kosovës”.
Ai shtoi se kompromisi eventual ndaj kërkesave të Serbisë, përveç Asociacionit, do ta bënin Kosovën shtet të brishtë, të lëndueshëm dhe të cenueshëm nga çfarëdo veprimi dhe nga vullneti i Serbisë./ REL