Shtatë organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar tërheqjen e iniciativës për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme.
Në një komunikatë të përbashkët, Demokraci Plus (D+), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Demokraci për Zhvillim (D4D), Lëvizja FOL, Iniciativa për Progres (INPO), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet (Çohu) kanë thënë se nuk arsyetohet urgjenca me të cilën po tentohet ndryshimi i këtij ligji.
Të premten, në ditën kur pritej të votohej për Vjosa Osmanin për presidente, Lëvizja Vetëvendosje nisi iniciativën për ndryshime në Ligjin për Zgjedhje për t’ia mundësuar diasporës votimin nëpër ambasada e konsullata. Nga opozita kjo iniciativë u konsiderua e ngutshme dhe shantazh politik pasi në të njëjtën ditë, kryeministri Albin Kurti kërcënoi opozitën me zgjedhje të reja, në rast se ajo nuk mundëson kuorumin për ta zgjedhur Vjosa Osmanin shefe të shtetit.