Policia Federale ishte në një kontroll rutinë kur automjeti i tyre u godit nga pajisja shpërthyese e vendosur nga terroristët e DEASH-it në lagjen Wadi al-Shai.
Pesë policë kanë humbur jetën pasi një pajisje shpërthyese e improvizuar goditi automjetin e tyre në provincën Kirkuk në Irakun verior, raporton Anadolu Agency (AA).
Një oficer i policisë, i cili foli në kushte të anonimitetit, për AA tha se Policia Federale ishte në një kontroll rutinë kur automjeti i tyre u godit nga pajisja shpërthyese e vendosur nga terroristët e DEASH-it në lagjen Wadi al-Shai.
Pas shpërthimit, policia dhe ushtarët rrethuan të gjithë zonën.
Deri më tani asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë e sulmit.
Terroristët e DEASH-it në muajt e fundit kanë përshkallëzuar sulmet e tyre, veçanërisht në zonën midis provincave Kirkuk, Salahuddin dhe Diyala, zonë e njohur si ‘Trekëndëshi i vdekjes’.
Në vitin 2017, Iraku deklaroi fitore mbi DEASH-in duke rikthyer të gjitha territoret që grupi terrorist i kishte kontrolluar që nga vera e vitit 2014, territore që vlerësoheshin se janë rreth një e treta e territorit të vendit.
Megjithatë, grupi ende mban celula jo-aktive në zona të mëdha në Irak dhe herë pas here kryen sulme sporadike.