Kataklizmi modern i shpirtërores tashmë ka rrëmbyer çdo cep global, por çfarë realisht po ndodhë me të brendshmen e shoqërisë sonë kosovare?
Edlira Ramaj & Shqipdona Brahaj
Të gjithë jemi të pajtimit që kemi ndryshuar në aspektin e ndjenjave shpirtërore, dhembshurisë për tjetrin, tolerancës, respektit, mëshirës etj, por a jemi realisht të vetëdijshëm për rrënimin e kësaj bërthame sfungjerore, intensiteti i të cilës çdo ditë e më tepër po toksikohet.
Kjo epokë e tjetërsimit njerëzor është jo pak rrjedhë e faktorit materialist dhe atij teknik, të cilat vetë njeriu i ka shpikur për t’ia lehtësuar atij jetën, ndërkohë që po ndodhë e kundërta, mënyra jetësore e shoqërisë po ndërlikohet gjer në shkallën e robërizmit në robotizëm.
Siç thoshte E. Sabato: “Teoricienët e mekanizmit argumentuan se makina, duke e çliruar njeriun nga punët e krahut, do t’i linte më shumë kohë të lirë për aktivitetet e shpirtit. Në praktikë gjërat rezultuan të kundërta dhe çdo ditë kemi më pak kohë.”
Materialja me teknologjinë si mekanizëm ushtrojnë favore reciproke, këto të fundit janë bërë prej burimeve kryesore përmes së cilave njeriu përfiton materialisht. Sot po e jetojmë “jetën e shpejtë”, dhe si pjesëtar të kësaj epoke, ne tentojmë po aq shpejtë edhe të pasurohemi, pak punë dhe shumë përfitime. Nga koha kur ora nuk llogaritej dhe si e tillë ishte pafundësi, kemi kaluar në një orë të pamjaftueshme si llogaritje. Gjithçka është bërë e shpejtë, dhe në këtë shpejtësi kohore si tendencë për arritjet materiale njerëzore, shpirtërorja i kërkon qoshet e saj për të mos u bërë pengesë e lëvizjes.
Sot gjithçka është më e lehtë në qasje, shërbime dhe në informacion. Kushtimisht e kemi botën në duar, për aq sa edhe bota na mban në grusht neve. Njeriu modern po e jeton surrealizmin në realizëm dhe si i tillë ai është vazhdimisht në një transit transcendent në përpjekje të vazhdueshme për krijimin e horizonteve të reja në formën e post-humanizmit deri në atë masë sa artificialja të bëhet kureshtja më e madhe e njerëzimit e për më tepër më e dëshirueshmja për jetesë.
Brenda këtij Olimpi global është përfshirë edhe shoqëria jonë kosovare, për rrjedhojë aparenca aktuale e njeriut të ri kërkon që ne të marrim parasysh “rreziqet shpirtërore ekzistenciale” dhe të reflektojmë seriozisht për efektet e evoluimit teknologjik në kornizën tonë shoqërore, kulturore, etike, shkencore e metafizike.
Kultura kibernetike ka rregulla të pashkruara e bashkë me to edhe dëme jo të paramenduara për çështjet e moralit dhe kaotizmit tonë shpirtëror, veçanërisht duke e bashkuar shkencën, teknologjinë dhe vizionet tradicionale futuriste.
Në këtë kontekst, promovimi i mënyrave jetësore po i lidhë individët në mënyrë zingjirore në një pasazh të njëjtë, shumica e të cilëve po bien pre e presioneve sociale, aty gjithçka duket e bukur dhe tërheqëse gjer në një nivel eksitimi, gjithnjë pa ja hequr pëlhurën e tehuajësimit artificial, kësisoj duke e sfiduar gjithnjë e më shumë autenticitetin jetësor si “heqje dorë” nga ideali ynë individual dhe nga unikaliteti njerëzor si një tipar themelor i njerëzimit.
Një gjë është pastër e qartë shoqëria jonë gjendet në një qasje labirinthi ndaj realitetit virtual shpirtëror, prandaj, vendosja e shpirtërores në ankand i ngjanë një roberie të rehatshme brenda një fiziku të lirë biologjik.
Por, nëse vërtet do ta vendosnim shpirtëroren në ankand, sa do të shitej ajo, dhe kush do të ishin blerësit e saj?