Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë regjistruar 3 të vdekur dhe 118 raste të reja pozitive me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Kosova Post.
Numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në vend që nga fillimi i pandemisë është rritur në 130.977, prej të cilëve 2.389 persona kanë vdekur, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Gjithashtu janë shëruar 719 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 108.606 dhe raste aktive aktualisht janë 19.982.
Institucionet shëndetësore kanë kryer edhe 2.079 testime të tjera, ndërsa që nga fillimi i pandemisë janë kryer gjithsej 630.822 testime për personat e dyshuar për COVID-19.
Në Shqipëri vazhdon procesi i vaksinimit dhe që nga fillimi i këtij procesi janë kryer mbi 433.944 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Nga ana tjetër, sipas ministrisë, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vlerësuar se situata epidemiologjike në vend vijon të mbetet e kontrolluar. Ky komitet ka propozuar kalimin e mësimit të institucioneve të arsimit parauniversitar në klasa, ndërsa masat e tjera mbeten në fuqi.
Në fuqi do të mbeten masat si kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe aktivitetit të restoranteve nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit, ndalimi i grumbullime masive dhe mësimi online në universitete.(AA)