Kryeministri i Palestinës, Muhamed Shtayeh bëri të ditur se i ashtuquajturi plani i paqes “Marrëveshja e Shekullit” do të largohet së bashku me Presidentin Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë, transmeton Kosova Post.
Sipas një deklarate me shkrim të lëshuar nga zyra e Kryeministrit, Shtayeh mbajti një takim me telekonferencë me Këshillin e SHBA-së për Marrëdhëniet me Jashtë.
“Plani i Trumpit për Marrëveshjen e Shekullit, i cili nuk mbulon as të drejtat minimale të palestinezëve, do të largohet nga Shtëpia e Bardhë”, tha Shtayeh, ndërsa vuri në dukje se presin që administrata e re e SHBA-së, e udhëhequr nga Joe Biden, të mbështesë zgjidhjen me dy shtete.
Shtayeh tha se Izraeli duhet të pranojë një konferencë paqeje nën mbikëqyrje ndërkombëtare ose një rifillim të negociatave nga vendi ku kanë mbetur, ose t’i përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara më parë.
Kryeministri palestinez theksoi se është paqja me palestinezët, jo “marrëveshjet e normalizimit” që do t’i japin fund konfliktit me Izraelin dhe tha se marrëveshjet e normalizimit të nënshkruara nga disa vende arabe me administratën e Tel-Avivit paraqesin shkelje të Nismës Arabe të Paqes.
Presidenti i SHBA Trump bëri publike planin e tij të njëanshëm të ashtuquajtur të paqes në Lindjen e Mesme (Marrëveshja e Shekullit) gjatë një konference të përbashkët shtypi me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë më 28 janar.trt