Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin të përkushtuara për ta mbështetur Kosovën në Këshill të Evropës.
Kështu deklaruar për Telegrafin zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Kosovë, Erik Brassil, duke shtuar se vendimi për anëtarësim kërkohet pëlqimi nga shtetet anëtare të KiE-së.
“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të mbështetur Kosovën pasi ajo zë vendin e merituar si një shtet sovran dhe i pavarur përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike – përfshirë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Vendimi për anëtarësim në këto programe dhe organizata kërkon pëlqimin dhe miratimin e këtyre institucioneve dhe shteteve të tyre anëtare, jo vetëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Brassil për Telegrafin.
Kosova javën e kaluar dorëzoi zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në mbledhjen e fundit të Qeverisë u shpreh se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KiE është bërë në koordinim të plotë me miqtë dhe partnerët tanë.
“Dorëzimi i aplikacionit është bërë në koordinim me miqtë dhe partnerët e Kosovës”, tha Bislimi.