Ceremonia e ndarjes së Çmimeve Grammy u shty vetëm disa javë përpara ceremonisë së planifikuar në Los Angeles për shkak të asaj që organizatorët e quajtën “rrezik i lartë” nga varianti Omicron i koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA), përcjell KosovaPost.
Shfaqja ishte planifikuar për më 31 janar në Arenën Crypto.com të sapo riemërtuar me audiencë dhe performanca, ndërsa nuk është caktuar asnjë datë e re.
Akademia tha se mori vendimin për të shtyrë ceremoninë “pas shqyrtimit dhe analizës së kujdesshme me zyrtarët e qytetit dhe shtetit, ekspertët e shëndetit dhe sigurisë, komunitetin e artistëve dhe partnerët tanë të shumtë”.
“Duke pasur parasysh pasigurinë që vjen nga varianti Omicron, mbajtja e shfaqjes më 31 janar thjesht përmban rrezik të lartë”, thuhet në deklaratën e akademisë.
Vitin e kaluar, si shumica e ngjarjeve kryesore të çmimeve në fillim të vitit 2021, Grammy u shty për shkak të shqetësimeve të koronavirusit. Shfaqja u zhvendos nga fundi i janarit në mesin e marsit dhe u mbajt me një audiencë të kufizuar, të përbërë kryesisht nga të nominuarit dhe të ftuarit e tyre brenda dhe përreth Qendrës së Konventave të Los Angeles-it, ngjitur me shtëpinë e saj të zakonshme, arena e njohur atëherë si Staples Center.
Ajo ishte një natë e madhe për Beyoncé dhe Taylor Swift, por performancat live që dalluan Grammy-t nga shfaqjet e tjera të çmimeve u vendosën veçmas pa turma të konsiderueshme.
“Presim me padurim të festojmë Natën më të madhe të Muzikës në një datë të ardhshme, e cila do të shpallet së shpejti”, thuhet në deklaratën e akademisë.
Shpallja e datës mund të jetë e ndërlikuar, ndërsa dy ekipe basketbolli profesionistë dhe një ekip hokej kanë pushtuar arenën. “Recording Academy” nuk përmendi një ndryshim të mundshëm të vendit në deklaratën e saj.