Italia, dikur epiqendra e pandemisë në Evropë, shpreson që rregullat e rrepta për mbajtjen e maskës, ta ndihmojnë atë në përpjekjet kundër rritjes së infeksioneve me corona virus, përcjell KosovaPost.
Autoritetet në kryeqytetin e vendit, Romë, njoftuan rreth fundit të vitit që lamë pas, vendimin për përdorimin e detyrueshëm në ambjente publike të maskave të tipit FFP2, të cilat ofrojnë më shumë mbrojtje se maskat e pëlhurës dhe ato kirurgjikale. Shumë vende evropiane e kanë ndërmarrë një masë të tillë.
Në rrugët e qendrës historike të Romës, përdorimi i maskave në ambjentet e jashtme është ndonjëherë i debatueshëm, por shumica dërrmuese e zbatojnë rregulloren e rivendosur së fundmi për të mbajtur maskat.
Ndërsa repartet e urgjencave nëpër spitale po mbusheshin me pacientë të infektuar, shumica prej të cilëve të pavaksinuar, qeveria e Kryeministrit Mario Draghi lëshoi një dekret mbrëmjen e Krishtlindjes për përdorim të detyrueshëm të maskave të tipit FFP2, të cilat kanë një filtër të posaçme dhe bllokojnë 94% të grimcave të ajrit të njohura si aerosole.
Francesca Peluso, pronare e një farmacie në Romë, thotë se është shtuar kërkesa për blerjen e maskave në fjalë, kryesisht nga turistët.
“Kemi pasur një rritje të kërkesave për maska FFP2. Duke qënë një zonë kryesore e Romës, kërkesat u shtuan nga turistët. Kemi pak klinentë vendas dhe kuptohet që ata janë të pajisur me maska. Ka rënë kërkesa për maska kirurgjikale dhe është shtuar kërkesa për maska të tipit FFP2.”
Përdorimi i maskave është i domosdoshëm edhe pse të gjithë pasagjerëve në Itali tani u kërkohet të jenë të vaksinuar ose të jenë shëruar kohët e fundit nga koronavirusi në mënyrë që të kenë qasje tek transporti publik.