Si i pasqyron media zhvillimet në Ballkan?

Si i pasqyron media zhvillimet në Ballkan?

Shkruan: Dr. Erhan Turbedar

Kur studion zhvillimet në Ballkanin Perëndimor të shfaqet një përshtypje sikur rajoni ka dy pamje të ndryshme. Në pamjen e parë, vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke bashkëpunuar me njëra-tjetrën, vrapojnë pas interesave të përbashkëta me anë të projekteve rajonale dhe bëjnë përpjekje për të përcaktuar një qëndrim të përbashkët ndaj sfidave ndërkufitare. Ndërsa në pamjen e dytë të Ballkanit Perëndimor dominojnë zhvillimet negative rajonale, konfliktet politike në marrëdhëniet dypalëshe. Duke qenë se burimet mediatike i japin më shumë peshë pamjes së dytë, shumica e ndryshimeve pozitive në rajon mbeten në hije.

Marrëdhëniet ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, për dallim nga e kaluara, sot janë duke u zhvilluar me frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë, solidaritetit dhe bashkëpunimit. Sidomos në 17 vitet e fundit një përparim të madh ka bërë bashkëpunimi sektorial dhe vullneti politik që e mbështet këtë lloj bashkëpunimi. Janë arritur përfitime të ndryshme. Për shembull, në fushën e tregtisë, në Ballkanin Perëndimor është arritur një liberalizim i plotë i lëvizjes së mallrave. Ndërkohë që vazhdojnë negociatat për liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë edhe në fushën e shërbimeve. Nga ana tjetër, në kuadër të procesit të Berlinit, po bëhen përpjekje për përmirësimin e infrastrukturës së transportit dhe energjisë në nivel rajonal. Punimet infrastrukturore në fjalë, jo vetëm që gëzojnë një mbështetje të plotë politike, por janë siguruar edhe burimet e nevojshme financiare për fillimin e tyre.

Me punimet, që po kryhen për njohjen automatike të diplomave në nivel rajonal, synohet rritja e dinamikës (lëvizshmërisë) rajonale të ekspertëve dhe mbyllja përmes kësaj rruge e deficitit të fuqisë së kualifikuar punëtore që vihet re në disa sektorë të ekonomive të rajonit. Me pritshmërinë për ta shndërruar Ballkanin Perëndimor në një rajon edhe më tërheqës për investitorët e huaj, po punohet gjithashtu edhe mbi standardet e përbashkëta, të cilat do të përmirësojnë klimën e investimeve në nivel rajonal.

Në 20 vitet e fundit, në Ballkan janë krijuar e zhvilluar më shumë se 50 organizata rajonale, iniciativa dhe struktura të ngjashme të përqendruara në sektorë të ndryshëm. Janë motivuar për të krijuar bashkëpunim të ngushtë madje edhe agjencitë më të ndjeshme të sigurisë në rajon. Me qindra projekte rajonale, të mbështetur nga organizata donatore, janë zbatuar në sektorë të ndryshëm. Në realizimin e këtyre projekteve kanë kontribuar të gjithë, duke filluar nga institucionet publike e sektori privat, e deri tek organizatat joqeveritare, ato rajonale dhe ndërkombëtare.

Gjendja aktuale në Ballkan, tregon se përgjegjësia e komunitetit ndërkombëtar në rajon nuk ka përfunduar ende dhe lista e atyre që nevojitet të bëhet për stabilitetin e qëndrueshëm është ende shumë e

Megjithatë, ky aspekt pozitiv i Ballkanit nuk ka gjetur shumë hapësirë në burimet mediatike. Për sa i përket arsyes, para së gjithash mund të thuhet se, burimet e medias në vendet e Ballkanit nuk interesohen mjaftueshëm me zhvillimet në vendet fqinje. Përveç ndjekjes së çështjeve, problemeve në marrëdhëniet dypalëshe, burimet e medias lokale nuk tregojnë interesimin e duhur ndaj zhvillimeve në fqinjin e tyre. Me fjalë të tjera, vendet fqinje në përgjithësi zënë vend në median kombëtare në kontekstin e problemeve që përjetohen me atë vend.

Nga ana tjetër, gjëja më e rëndësishme për burimet e medias në Ballkan, të cilat përpiqen të mbijetojnë me burime të kufizuara financiare, është tërheqja e vëmendjen së shikuesve dhe lexuesve të tyre. Pasi edhe psikologjia e njerëzve ka tendencë të jetë më e interesuar me lajmet negative se sa me zhvillimet pozitive. Përveç kësaj, për shkak të problemeve të marrjes së vizës ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinë, gazetarët e këtyre dy vendeve nuk mund të udhëtojnë mjaftueshëm reciprokisht për në Bosnje-Hercegovinë apo për në Kosovë. Përveç një pengese të tillë fizike, edhe barrierat gjuhësore ngandonjëherë mund ta mbajnë në nivel të ulët interesimin e gazetarëve ndaj zhvillimeve në vendin fqinj. Për të gjitha këto arsye, zhvillimet pozitive në Ballkan nuk mund të ndiqen në mënyrë të mjaftueshme nga burimet mediatike kombëtare, si rrjedhim në lidhje me rajonin dominon një tablo negative.

Për të nxjerrë në plan të parë zhvillimet pozitive në Ballkan dhe promovimin e një imazhi më pozitiv të rajonit, tetë institute mendimi nga Ballkani dhe Evropa Qendrore kanë përgatitur dhe publikuar në nëntor të vitit 2016 një strategji për të mbështetur integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Kjo strategji punon për të rritur bashkëpunimin ndërmjet qeverive, parlamenteve dhe organizatave joqeveritare të rajonit dhe ka për qëllim të ndërtojë një komunikim të njëzëshëm dhe të përbashkët ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare të BE-së.

Një synim tjetër është që me anë të përpjekjeve të përbashkëta të promovojë tek qytetarët e BE-së imazhin pozitiv të Ballkanit Perëndimor dhe të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE për vendet e rajonit duke lobuar në rrethe e grupe të caktuara. Pavarësisht nga fakti se kjo strategji është zhvilluar rishtazi, ajo ka filluar të ngjallë interes dhe të gëzojë mbështetje. Vetëm ky shembull është i mjaftueshëm për të dëshmuar për ndryshimet pozitive në Ballkanin Perëndimor.

You may also like

Zbulohet shtesa qe do të marrin fëmijet deri në moshën 16 vjeçare

Ka filluar debati parlamentar, sipas kërkesës së deputetes