Përveç Kosovës, me 17 tetor zgjedhje do të ketë edhe në Maqedoninë Veriore.
Rreth kësaj teme, në “Sytë 7” në Klan Kosova, ka folur kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, i cili tregoi se të hënën fillon zyrtarisht fushata.
Ai tha se këto zgjedhje do të zhvillohen nën masat e protokolleve që kanë të bëjnë me pandeminë.
“Të gjitha tubimet do të jenë të kufizuara. Tubimet të jenë në hapësira të hapura pasi ato në të mbyllura janë të kufizuara, dhe këto protokolle duhet të respektohen”, tha ai.
Tutje, Kasami tha se Lëvizja Besa do të garojë pothuajse të gjitha komunat, përveç Kërçovës dhe Bërvenicës.
“Lëvizja Besa fillon fushatën zgjedhore ditën e henë kur edhe e kemi konventën e promovimit të kandidatëve që garojnë në zgjedhjet e 17 tetorit. Lëvizja Besa do të marrë pjesë gati në të gjitha komuna me numër të konsiderueshëm të shqiptarëve nga të cilat për shkak të disa specifikave jemi tërhequr nga gara në komunën e Kërçovës dhe Bërvenicës. Gati në të gjitha komunat tjera me shumicë shqiptare do të garojmë me kandidatët tanë”, tha Kasami.