Deputetët e partive opozitare kanë mbledhur nënshkrime për ta dërguar në kushtetuese çështjen e shkarkimit të Valdete Dakës, nga pozita e Kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), raporton Kosova Post.
Lajmin e ka bërë të ditur Enver Hoxhaj, deputet dhe njëkohësisht ushtrues detyre i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Hoxhaj njoftimin e ka bërë nëpërmjet një statusi në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook.
“Vendimi i presidentes së Kosovës, urdhëruar nga Albin Kurti për të shkarkuar kryetaren e KQZ-së, është antikushtetues, dëmton institucionet demokratike, rrezikon zgjedhjet lokale dhe është fund e krye politik.
Për të mbrojtur rendin kushtetues, institucionet demokratike e profesionale, si dhe të parandalojmë secilin akt të tillë në të ardhmen, Partia Demokratike e sheh të domosdoshëm dhe të pashmangshëm opinionin e Gjykatës Kushtetuese, për çka i kemi mbledhur edhe nënshkrimet. Faleminderit të gjithë deputetëve të opozitës për bashkëpunimin në këtë çështje” – ka shkruar Hoxha.
Vendimi për shkarkimin e Dakës, nga ana e Presidentes Vjosa Osmani, është cilësuar i pa drejt, e madje edhe jo-demokratik nga ana e opozitës, si dhe një pjese të shoqërisë civile./KosovaPost/