Sikur të lobonim për bashkimin kombëtar!

Sikur të lobonim për bashkimin kombëtar!

Shkruan: Abdullah Klinaku

Dinamika e shtuar politike e diplomatike e udhëheqjes institucionale në Kosovë për të bindur faktorin ndërkombëtar për kompromisin e dhimbshëm që e pret vendin tonë sikur është shndërruar në projektin politik qendror të tyre. Takimet e shumta, lobimi dhe konferencat e vazhdueshme për medie sikur se kanë për qëllim sensibilizimin e opinionit se çka do që vjen është më e mira e mundshme. Thjeshtë po synojnë ta mbjellin dështimin si sukses e dinakërinë si urtësi.

Kosovës para se ti duhet projekti politik që e ndanë e që i izolon i duhet projekti politik që instalon drejtësinë, barazinë, mirëqenien dhe bashkimin. Në këtë vend ku pa drejtësia është shndërruar në sistem e drejtësia në diçka të rrallë. Ku barazia është kandari i të fortëve për ti nënshtruar të dobëtit. E mirëqenia është jetesa e të korruptuarve, hajdutëve e injorantëve. Ti ofrosh projektin politik që e përçanë dhe e ndanë akoma më shumë popullin është kontributi më i keq që mund të bësh për vendin.

Për tërë këto vite të pas luftës në Kosovë është financuar në vazhdimësi për të formuar dhe ndërtuar vendin tonë si vend shumë etnik e shumë fetar. Është financuar për të jetësuar konceptin e shtetit shumë kulturor. Është propaganduar për të na bindur se hise të përbashkët për ndërtimin e këtij vendi kemi të gjithë se bashku, shqiptarët, serbët, turqit e boshnjakët. U tha në vazhdimësi, se ndarja në vija etnike nuk është cilësi e shteteve moderne.

Gjithë këto vite, na gënjyen aq shumë e na mashtruan aq hapur. Duke folur për bashkëjetesë ndërnacionale, privilegjuan pakicën serbe. Duke folur për multikulturalitet ju siguruan manastireve eksterritorialitet. Duke folur kundër ndarjeve etnike na e ofruan asociacionin të ndarë në vija etnikisht të pastra. E duke folur për pajtimin na e krijuan varësinë ndaj Serbisë.

Gjatë gjithë kësaj kohe na ushtruan të mendojmë se bashkimi me Luginën është mëkat. E bashkimi me Shqipërinë është synim kundër shtetit të Kosovës. Na thanë se edhe hartën e Kosovës po e vejmë në flamur që të mos shihni ëndrra të tjera. E në Kushtetutë po ua kufizojmë ambicien se nuk mund të bashkoheni kurrë njëherë me askënd. Sikur menduan se na binden se amaneti i dëshmorëve për bashkim paska qenë gabim. Ashtu sikur se na thanë që as lufta çlirimtare nuk e paska pas qëllimin për bashkim. Tërë këto vite na dresuan të mendojmë veç për Prishtinën, që ta harrojmë Mitrovicën. Na dresuan ta mendojmë pavarësinë që sot të na sjellin varësin. Dhe na e larguan Shqipërinë për ta na e ofruar Serbinë.

Tash pas rreth 20 vitesh doli në shesh projekti politik i cili synon me çdo kusht ta rrënoi dhe ta dëshmoi si shumë të dëmshëm gjithë këtë përpjekje. E më e keqja e këtij projekti qëndron në faktin se gabimi është kuptuar pjesërisht dhe si i tillë janë duke na futur në një gabim shumë më të madh se sa ai deri më tani.

I tërë ky lobim e dinamizëm i politikës institucionale sikur të kishte qenë aq aktiv gjithë këto vite, sot do të kishim barazi, drejtësi, mirëqenie dhe ofrim për bashkimin natyral të shqiptarëve me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare!

You may also like

Zbulohet shtesa qe do të marrin fëmijet deri në moshën 16 vjeçare

Ka filluar debati parlamentar, sipas kërkesës së deputetes