Çështja e vaksinave për COVID-19 ishte temë diskutimi në takimin e sotëm të kryeministrit Hoti dhe ministrit Zemaj me përfaqësues të IKSHPK-së.
Ndonëse ishte thënë se vaksinat janë siguruar dhe se ato vijnë në shkurt, në komunikatën e qeverisë nuk është dhënë asnjë detaj për një datë të mundshme të arritjes së tyre, kur edhe dy ditë përfundon ky muaj.
Në njoftim nuk jepet as ndonjë shifër se sa vaksina pritet të arrijnë, përveç faktit se MSH po pret kontingjentin e parë për të filluar menjëherë pastaj me strategjinë e saj të vaksinimit.
“Ndërsa, sa u përket vaksinave, Ministria e Shëndetësisë është duke pritur kontingjentin e parë të vaksinave dhe është e gatshme që posa të vijnë, të zbatohet strategjia e vaksinimit Anti COVID-19 në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në komunikatë u tha po ashtu se situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, ka shënuar rritje të rasteve në dy javët e fundit për 7.7 %, me trend të rritjes në tri ditët e fundit të kësaj jave nga 320 raste në 422 raste në mesatare këtë javë (24,1%).
Duke pasur parasysh këtë fakt, IKSHPK ka rekomanduar rigorozitet të masave.