Monumente të rëndësishme që identifikojnë shqiptarët në veri të qytetit të Mitrovicës, më pothuajse nuk ekzistojnë. Serbët me ndihmën e Beogradit, kanë krijuar dhunshëm realitet të ri në atë pjesë, duke zhdukur gjithçka shqiptare dhe duke ndërtuar kisha, përmendore, lapidarë e monumente të ngjashme, të cilat i dedikohen historisë dhe figurave serbe e ruse.
Ngritja e shtatores së ‘car Llazarit’, në qendër të veriut të këtij qyteti, pastaj ndërtimi i kishës ortodokse serbe në lagjen ‘Kodra e minatorëve’, përmendorja e konzulit rus Grigorij Shqerbin te rrethrrotullimi kryesor, lapidari ngjitur me urën kryesore mbi lumin Ibër, në përkujtim kinse të serbëve të vrarë nga NATO-ja, janë vetëm disa nga elementet që konfirmojnë qëllimin e shtetit të Serbisë për të fshirë historinë dhe kulturën shqiptare që me shekuj ka ekzistuar në atë pjesë.
Derisa veriorët nuk preferuan në asnjë mënyrë të flasin për këtë temë, bashkëqytetarët e tyre nga pjesa jugore thonë për KosovaPress, se të gjitha monumentet dhe objektet e ndryshme të ndërtuara pasluftës në atë pjesë, kanë prapavijë politike.
Sipas tyre, objektet që kanë ekzistuar para luftës atje dhe të cilat kanë identifikuar shqiptarët, tashmë janë zhdukur.
Shemsi Salihi, qytetar nga Mitrovica, tha se të gjitha ndërtimet të cilat kanë ndodhur pasluftës në veri, kanë prapavijë politike. Ai përmendi mullirin e vjetër dhe xhaminë që dikur ishin pranë cepit verior të urës mbi Ibër, por që janë zhdukur dhe nuk ekzistojnë më.
Salihi: Krejt çka po ndërtohet andej ka prapavijë politike
“Po, krejt çka po ndërtohet andej ka prapavijë politike… Ka qenë mulliri këtu, nuk është më. Ka qenë xhamia, njëjtë nuk është më, të gjitha po zhduken … Krejt çka po shitet andej është me plan, që me u shpërngul tanët këndej, ndërsa pjesa veriore me mbet me serbë”, ka thënë Salihi.
Edhe Xajë Dibrani, një qytetar tjetër i Mitrovicës, pranon se të gjitha ndërtimet e pasluftës në veri, kanë prapavijë politike. Ai për çështjen e Mitrovicës ka fajësuar politikanët për të cilët tha se e kanë ndarë këtë qytet dhe për më shumë se njëzet vite s’kanë bërë asgjë.
Barani: Beogradi i ka rrënuar dhe Beogradi po ndërton vend e pavend
“Krejt këto po i bënë shteti i Serbisë, Beogradi, dhe jo serbët e Mitrovicës, do të thotë Beogradi i ka rrënuar dhe Beogradi po ndërton vend e pavend, ku nuk ka pasur kisha kurrë… Në vend të mullirit kanë ngritur një lapidar apo pllakë përkujtimore me emra kinse të disa serbëve që janë vrarë në luftë, për të cilët kanë thënë se i ka vrarë NATO gjatë bombardimeve, gjë që nuk qëndron, sepse aty ka emra të serbëve të cilët kanë vdekur shumë para luftës. P.sh. Gollub Kokeriq të cilin e kam pasur komshi, ka vdekur shumë para lufte dhe emri i tij qëndron në këtë pllakë”, tha Barani.
Ai theksoi se synim i kamotshëm i Serbisë ka qenë shfarosja dhe asimilimi i shqiptarëve.
Barani: Asnjë qeveri tash e 22 vite nuk është interesuar për pjesën e okupuar të qytetit
“Kjo është fatkeqësi që askush nuk interesohet prej udhëheqësve tonë dhe qeverisë, jo vetëm qeveria sot, por asnjë qeveri tash e 22 vite nuk është interesuar për pjesën e okupuar të qytetit, përkatësisht për objektet të cilat janë rrënuar e që kanë qenë shqiptare, e që po ndërtohen lapidare të rrejshme të banditëve dhe kriminelëve që kanë bërë krime mbi popullatën shqiptare, si dhe ndërtohen kisha të reja… Kjo dihet saktësisht sepse në momentin që përmenda ndërtimin nga ana e Beogradit, përkatësisht synim i kamotshëm i Serbisë ka qenë asimilimi dhe shfarosja e shqiptarëve. Në Mitrovicë kanë qenë 85 përqind banorë shqiptarë, ndërsa 15 për qind të tjerë, duke përfshirë këtu romët, ashkalinjt, boshnjakët, turqit, malazezët etj. Ndërsa tani në pjesën e okupuar ka shumë pak banorë shqiptarë”, potencoi Barani.
Në anën tjetër, politologu Musa Preteni, thotë se Serbia historikisht ka përdorur dy elemente për të arritur qëllimet e saj, ndryshimin e demografisë në veriun e Kosovës, si dhe ndërtimin e objekteve me qëllime politike, duke zhdukur objekte tjera të cilat kanë faktuar prezencën e shqiptarëve në atë pjesë./B.S