Pas publikimit të audio-incizimeve, incizime këto që i kanë “komprometuar” edhe disa gazetarë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka bërë thirrje për respektim të Kodit Etik të Mediave, shkruan Kosova Post.
“Në dritë të zhvillimeve të fundit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dëshiron të ritheksojë se qëndron prapa thirrjes që gazetarët të respektojnë Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodin Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës, gjatë zhvillimit të punës së tyre.
AGK-ja e ka parasysh se kredibiliteti i mediave është ngushtë i lidhur me zbatimin e standardeve etike dhe ligjore nga ana e gazetarëve.
AGK-ja inkurajon zhvillimin e gazetarisë profesioniste, e cila është shtyllë e rëndësishme në funksionimin e demokracisë të një vendi.”
Orë më parë, Kosova Post ka raportuar se mediumi Shqip.com e ka publikuar edhe video-incizimin e radhës, ku protagonist është gazetari Visar Duriqi. Kosova Post e ka kontaktuar këtë të fundit, për të kuptuar nëse ka ndonjë koment në lidhje me këto zhvillime, por ai nuk është përgjigjur.
Agjencia e Lajmeve Kosova Post, me këtë rast, i bashkohet thirrjes së AGK-së, për respektim të Kodit Etik të Gazetarisë, si vlerë e zhvillimit demokratik./KosovaPost/