Mësimdhënësi i gjeografisë në shkollën e mesme të ulët ‘Isa Boletini’ Gazmend Hajda akuzon komunën e Rahovecit për largimin e padrejtë nga puna.
Sipas tij arsyeja e largimit nga puna është vetëm për shkak të bindjeve politike. Ai në një deklarim për Kosova Post tha se kishte një përformanc të mirë e të dëshmuar me fakte.
“Mua padrejtësisht më larguan nga puna pa kurrfarë arsyetimi, vetëm për shkak bindjeve të mija politike, këtë e them sepse unë kam pasur performanc të mirë e që e dëshmojë me dy fakte. Mua në 2019 drejtoria e arsimit më ka caktuar në grupin për unifikim të instrumenteve të vlerësimit një prej 6 anëtarëve në nivel të komunës dhe në 2020 drejtoria e arsimit më cakton si përfaqësues i mësimdhënësve në nivel komune në ekipin për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes dhe mosregjistrimit të nxënësve në arsimin e obliguar, e mos të flasim për përformancën time në shkollë me nxënës”, ka thënë Hajda.
Tutje Hajda tha se nuk ka qenë në dijeni se Drejtorati i Arsimit në Komunën e Rahovecit(DKA), ka shpallur konkurs për vendin e tij të punës ku ishte punësuar vitin paraprak me konkurs.
Ai thotë se pavarësisht se isha i shokuar me këtë veprim unë aplikova për vendin e punës që e kisha ushtruar për dy vite. Sipas tij, anashkalimi i tij është i padrejtë në raport me konkurrenten e cila nuk ka përgatitjen arsimore që ai ka.
“Drejtori i Arsimit vendosë me shpall konkursin krejt padrejtësisht madje kur a kam par jam shoku, kur aplikova në konkurs pyetjet ishin skandaloze dhe e përzgjedhura e konkursit ishte parapërgatitur. Këtë e them sepse si arriti ti marrë 92 poena pa përvojë pa licencë dhe pa kualifikim kurse të gjithë që ishin aplikues kishin kualifikim dhe kishin shumë pak pikë. Unë kam kërkuar sqarim për pyetjet, përgjigje nuk na është kthyer prej DKA-së, ankesa kam bërë edhe në inspektoratin e punës dhe presim përgjigje nga ta, po ashtu kam angazhuar një avokat. Kërkesa ime është e thjesht le ta bëjnë intervistën e hapur dhe nëse është më e mirë unë jam në gjendje ta pranojë, sepse pikërisht për anën profesionale të gjithë kanë pasur fjalë miradije për mua”, tha ai për Kosova Post.
Hajda akuzon rëndë udhëheqjen komunale dhe të drejtoratit për padrejtësinë e bërë ndaj tij, ndërsa ka përmendur edhe punësimet tjera të parregullta. Hajda akuzoi DKA-në për punësime pa konkurse madje duke i përmendur edhe emrat e të punësuarve, ai shtoi se ndaj të njëjtit do të dorëzojë kallëzim penal.
“Janë pranuar edhe persona familjar siç është kunata e nënkryetarit si zëvendësim të pushimit të lehonisë, burri i saj është përfitues i tenderëve pikërisht nga Drejtoria e Arsimit pse asaj nuk i shpallet konkursi, fjala është për zonjën Hanumshahe Selmancena. Këtu është e gjithë padrejtësia në qoftëse DKA shpall konkurse atëherë pse nuk shpall për të gjithë, rasti i dytë është kur Drenusha Jupa punësohet pa konkurs. Këto pranime janë me dallavere nga partia e AAK-së. Unë do ta kërkojë të drejtën time me ligj, është i angazhuar edhe avokati ku shumë shpejt do të dorëzojmë kallëzim penal ndaj drejtorit të Arsimit. Deri kur anëtarët e VV-së të akuzohen, shantazhohen madje edhe largohen nga puna”, tha Hajda.
Ndryshe nga Gazmend Hajda, flasin zyrtarët komunal të cilët mohojnë se i është bërë e padrejtë me largimin nga puna. Sipas tyre Hajda ka pasur kontratë pune të përkohshme, prandaj edhe është shpallur konkursi.
Drejtori për Arsim në Komunën e Rahovecit Avni Morina, në një deklaratë për Kosova Post ka thënë se mësimdhënësi Hajda nuk ka pasur kontratë të përhershme dhe për atë arsye është larguar nga puna.
“Pretendimi i tij që ne e kemi hequr nga puna padrejtësisht nuk qëndron fare sepse ai që nga momenti kur e ka marrë kontratën ka qenë në dijeni se deri kur do ta ketë atë, ne nuk shpallim konkurse për kontrata të përhershme ai ka pasur të përkohshme. Nuk është e vërtet që kandidatja e përzgjedhur nuk ka kualifikim ajo ka kualifikim adekuat edhe ai i ishte adekuat por që fatkeqësisht nuk ka dalë i pari në konkurs, pyetjet e testit kanë qenë standarde për të gjithë kandidatët njësojë’, ka thënë Morina.
Ndryshe Morina mohoi akuzat e ngritura nga Hajda që komuna e Rahovecit bënë punësime mbi baza partiake./Kosova Post.
Mësimdhënësi në Rahovec, largohet nga puna vetëm pse është i afërt me Vetëvendosjen
Skandaloze/ Mësimdhënësi në Rahovec, largohet nga puna vetëm pse është i afërt me VetëvendosjenDetajet: https://kosovapost.net/skandaloze-mesimdhenesi-ne-rahovec-largohet-nga-puna-vetem-pse-eshte-i-afert-me-vetevendosjen
Gepostet von KosovaPost.net am Samstag, 12. September 2020