Kushtetuta e Republikës se Kosovës u miratua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi me 15 Qershor 200.
Më parë Kosova ishte qeverisur nga një Kornizë Kushtetuese e bazuar në Rezolutën 1244 të Këshilit të Sigurimit të OKB dhe e ratifikuar më 2001 që i mundësonte Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes disa kompetenca të rezervuara ndaj Përfaqësuesit special të Sekretarit Gjeneral të Kombeve të Bashkuara.
Hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës shënon fillimin e një periudhe të re të zhvillimeve politike.
Kushtetuta hyn në fuqi 120 ditë pas shpalljes së pavarësisë. Institucionet e Kosovës kanë arritur që për një periudhë të shkurtër kohore të përgatisin dhe miratojnë 40 ligje që dalin si propozim nga Pakoja e Ahtisarit.
Preambula thotë:
Ne, Populli i Kosovës, Të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet; Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit; Të zotuar që Kosova të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social; Të sigurt që shteti i Kosovës do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit dhe të mbarë Evropës, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë dhe të bashkëpunimit të mirë me të gjitha shtetet fqinje; Të bindur që shteti i Kosovës do të jetë anëtar i denjë i familjes së shteteve paqedashëse në Botë. Me synimin që shteti i Kosovës të përfshihet në proceset integruese Euro-Atlantike; Në mënyrë solemne, miratojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kushtetuta gjithashtu thotë se “Republika e Kosovës nuk do të ketë pretendime territoriale, dhe nuk do të synoj bashkim me asnjë vend ose pjesë të një vendi.”, ky është një mesazh i qartë ndaj pretendimeve irredentiste (bashkim me Shqipërinë, ose aneksimin e zonave shqiptare brenda territorit të Serbisë). Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë (neni 8). Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.