Sipas Prof.dr. Irfan Morinës Lufta e Çanakalasë është emri i përgjithshëm i betejave të ashpra detare dhe tokësore, që janë bërë gjatë Luftës së Parë Botërore. Në gadishullin e Galipolit ndërmjet Perandorisë Osmane dhe forcave të Antantës.
“Edhe pse mungojnë regjistrat zyrtare, në këtë luftë bëhet fjalë për rreth 210 mijë martirë nga radhët e Ushtrisë Osmane. Dëshmorët kryesisht ishin njerëz të shkolluar në vitin e fundit të liceut ose studentë të universitetit. Martirizimi i kaq shumë njerëzve të arsimuar shkaktoi më pas probleme jashtëzakonisht serioze për vazhdimësinë e shtetit. Në anën e Ushtrisë Osmane luftonin myslimanët e ardhur nga e gjithë bota. Kishte osmanë, turq, shqiptarë, goran, boshnjak etj. Shqiptarët si pjesëmarrës në anën e Ushtrisë Osmane vinin nga të gjitha vilajetet dhe viset shqiptare duke filluar nga Shkupi, Manastiri, Kumanova, Plava, Ulqini, Ohri, Elbasani, Vlora , Presheva, Gjakova, Prizreni etj. Emrat e tyre sot qëndrojnë në Muzeun e Çanakalasë”.
Në këtë luftë është shkruar epopeja e lavdishme e heroizmit të një kombi,- tha ndër të tjera për KosovaPost.net Prof.dr. Irfan Morina dhe shtoi: “Epopeja e Çanakalasë është simbol i shpresës për njerëzimin, sepse edhe sot e kësaj dite keqdashësit globalë ushtrojnë aktivitete pushtuese të ngjashme në shumë hapësira gjeografike.
Çanakalaja është një ndër mësimet më të afërta, më të hidhura dhe tronditëse që dëshmon se kur popujt e shtypur janë të bashkuar mund të bëjnë qëndresë kundër çdo qëllimi okupator”.