Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e mbylli samitin e aleancës ushtarake perëndimore me një mesazh për Moskën se aleatët janë të gatshëm të “mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s” dhe se mbështesin plotësisht Ukrainën në luftën e saj kundër forcave ruse.
Stoltenberg tha se NATO “u sigurua që kundërshtari të jetë i bindur se nëse do të bënte diçka të ngjashme me atë që Rusia i bëri Gjeorgjisë në vitin 2008 ose Ukrainës tani, do të shkaktonte një përgjigje të plotë nga e gjithë aleanca”.
Norvegjezi më tutje deklaroi se në samitin treditor në Madrid u morën disa vendime “transformuese”.
Përveç premtimit të ndihmës më të madhe nga anëtarët e NATO-s për Kievin, aleatët ranë dakord të rrisin numrin e forcave të tyre të reagimit të shpejtë në Evropën Lindore nga 40 mijë në 300 mijë trupa.
Në samit, Suedia dhe Finlanda u ftuan të bashkohen si anëtarë të rinj dhe u miratua një listë e re e prioriteteve kryesore të sigurisë për dekadën e ardhshme.
Ndër të tjera, në pjesën hyrëse të Konceptit Strategjik të NATO-s, theksohet se shtetet anëtare do të qëndrojnë të palëkundur në vendimin e tyre për të mbrojtur një miliard qytetarë, për të mbrojtur territorin e tyre si dhe për të ruajtur lirinë dhe demokracinë.
🔴 Join me LIVE for my press conference at the #NATOSummit
📍Madrid 🇪🇸#NATO | #OTANMadrid2022 https://t.co/Iky1N0kiEW
— Jens Stoltenberg (@jensstoltenberg) June 30, 2022