Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se ata nuk kanë parë tërheqjen e trupave ruse nga rrethina e Ukrainës, megjithatë janë “me kujdes optimistë” për mesazhet nga Moska.
Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s u takuan në selinë e aleancës në Bruksel të Belgjikës, për të diskutuar një sërë çështjesh, duke përfshirë rritjen e tensioneve pas dislokimit të trupave ruse në kufirin me Ukrainën, sigurinë evropiane dhe rritjen e pranisë në Evropën Lindore dhe Juglindore.
Stoltenberg u prononcua përpara takimit dyditor të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, në të cilën Turqia përfaqësohet nga ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar.
Ai tha se ata nuk kanë marrë ende një përgjigje për letrën e NATO-s, ku bëhet thirrje për dialog me Rusinë, por përsëriti thirrjen dhe tha se janë të përgatitur për “situatën më të keqe”, duke shtuar se Rusia do të paguajnë një çmim të rëndë nëse pushton Ukrainën.
Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg i bëri një vlerësim njoftimit të djeshëm të Rusisë për tërheqjen e trupave.
“Shenjat dhe mesazhet që morëm nga Moska dje ofrojnë bazën për një optimizëm të kujdesshëm. Sepse ishte një mesazh diplomacie dhe ne jemi gati për bisedime diplomatike me Rusinë. Ne i kemi përsëritur këto gjëra shpesh, por në të njëjtën kohë nuk kemi parë tërheqjen e forcave ruse. Kjo bie ndesh me mesazhet diplomatike. Është e rëndësishme të shihet tërheqja e Rusisë. Ne po monitorojmë nga afër se çfarë po bën Rusia në dhe rreth Ukrainës. Ajo që po shohim është rritja e numrit të trupave dhe më shumë trupa janë në rrugë”, bëri të ditur Stoltenberg.
“Rusia po i mban forcat e saj në lëvizje”, tha Sekretari i NATO-s, kur u pyet në lidhje me vlerësimin e tij të imazheve të tankeve ruse duke u ngarkuar në trena, ndërsa shtoi se ato nuk paraqesin tërheqje të vërtetë.
Stoltenberg tha se Rusia vazhdon të ruajë praninë e saj ushtarake në rajon, gjë që do t’i mundësonte asaj të pushtojë Ukrainën pa asnjë paralajmërim.