Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mbajtur një konferencë shtypi, përpara takimit të aleancës në Bruksel, që do të mbahet nesër.
Ai tha se NATO do të rrisë mbështetjen për Ukrainën “në mënyrë që ukrainasit të mund të vazhdojnë të mbrojnë veten dhe të çlirojnë territoret nga pushtimi rus”, shkruan BBC, transmeton kk.
“Ukraina ka momentumin dhe vazhdon të bëjë fitore të rëndësishme, ndërsa Rusia po përdor gjithnjë e më shumë sulme të tmerrshme dhe pa dallim ndaj civilëve dhe infrastrukturës”, tha ai.
“Presidenti Putin po dështon në Ukrainë”, shtoi ai.
Por ai gjithashtu paralajmëroi se “përpjekjet për aneksime, mobilizimi i pjesshëm dhe retorika e pamatur bërthamore” e presidentit rus përfaqësojnë përshkallëzimin më të rëndësishëm që nga fillimi i luftës.